Greqia synon të gjobisë nga data 17 Janar të gjithë njerëzit në moshë 60-vjeç e sipër që nuk janë vaksinuar ende ndaj Covid-19, në përpjekje për të nxitur nivelet e imunizimit dhe ulur presionet tek kujdesi shëndetësor. Kryeministri Kyriakos Mitsotaiks, i tha të moshuarve se mënyra më e thjeshtë për të shmangur penalitetin është vaksinimi. “Për ata pak banorë mbi 60-vjeç që nuk janë vaksinuar ende, unë ju inkurajoj ta bëni”- tha Mitsotakis në fundjavë.
“Nuk është çështja tek gjoba, pavarësisht se do të vendoset, ai është problemi më i vogël. Mbroni jetën tuaj dhe njerëzve të afërt përmes vaksinës”- shtoi kryeministri. Autoritetet greke thonë se të pavaksinuarit kanë rrezik të lartë të shtrimit në spital me koronavirus. Thuajse 9 nga 10 vdekje të lidhura me Covid-19 në Greqi kanë ndodhur tek personat në moshë 60-vjeç e sipër, ndërsa 7 në 10 prej atyre të shtruar në spital nga virusi, i përkasin kësaj grupmoshe, shkruan “ScanTV”.
Prej tyre, 8 nga 10 janë të pavaksinuar. Përpara se të lajmërohej vaksinimi i detyruar në Nëntor, rreth 520,000 të moshuar në Greqi nuk kishin marrë ende vaksinën, sipas Minsitrisë së Shëndetësisë. Që prej atëherë, 220,000 të moshuar janë imunizuar dhe prej 300,000 individët e mbetur, disa do të mund të përjashtohen për arsye mjekësore. Pjesa e mbetur do të gjobitet me 100 euro në muaj. Penaliteti do të vendoset nga autoritetet tatimore greke në mënyrë direkte tek ata që nuk janë vaksinuar dhe fondet e mbledhura do t’i jepen spitaleve që luftojnë pandeminë. Zëdhënës të qeverisë thonë se në këtë pikë, qeveria ka shteruar çdo mjet të bindjes për t’u vaksinuar. Ashtu si në pjesën më të madhe të Europës, Greqia ka parë raste rekord ditore këtë muaj, për shkak të variantit tejet të transmetueshëm Omicron.