Austria po prezanton vaksinimin e detyrueshëm kundër koronavirusit për të rriturit në fillim të shkurtit, me kërcënimin e dënimeve të larta, tha kancelari austriak Karl Nechamer, duke deklaruar se është i vetëdijshëm për natyrën “sensitive” të një vendimi të tillë, vendimi i parë i tillë në Evropë.
“Siç ishte planifikuar, ne po vendosim vaksinimin e detyrueshëm për njerëzit mbi 18-vjeç në fillim të shkurtit,” u tha gazetarëve kreu i qeverisë konservatore, të cilën ai e drejton së bashku me ambientalistët.
Qeveria propozoi sot një plan të rishikuar për vaksinimin e detyrueshëm, i cili tani do të zbatohet për këdo mbi moshën 18-vjeç, në vend të 14, siç ishte planifikuar fillimisht. Zyrtarët thanë se prezantimi gradual i planit do t’u jepte njerëzve mundësi të mjaftueshme për t’u vaksinuar.
Pothuajse dy muaj më parë, qeveria njoftoi se në fillim të këtij viti do të vendoste vaksinimin e përgjithshëm të detyrueshëm. Aspektet kryesore të planit mbeten në versionin përfundimtar, që do të debatohet në parlament të enjten, por zyrtarët thanë se konsultimet me dy parti opozitare dhe të tjera kanë treguar se nevojiten ndryshime në disa detaje.
Nechamer tha se ka pasur shqetësime për faktin se adoleshentët po ndëshkohen, ndaj është bërë një ndryshim dhe është futur vaksinimi i detyrueshëm që në moshën 18-vjeçare.
Për javë të tëra, ka pasur debate të ashpra në Parlament mbi planin në një vend ku 78.5 për qind e popullsisë që mund të vaksinohet është vaksinuar plotësisht deri më tani.
Qeveria austriake ka një shumicë të madhe në parlament, përveç konservatorëve dhe të gjelbërve, këtë propozim e mbështesin edhe krerët e Partive Socialdemokrate dhe Liberale. Kundër tij është vetëm partia e ekstremit të djathtë, në emër të “mbrojtjes së lirive individuale”.
Kancelari tha se ishte një “plan i ndjeshëm”, por se ishte “në përputhje me Kushtetutën” dhe se kishte një fazë rregullimi që lejonte ata që hezitonin të vaksinoheshin deri në mes të marsit.
Të shtunën, 27.000 njerëz demonstruan në Vjenë kundër masës së diskutueshme, e cila besohet se shkel liritë individuale.
Në fillim të shkurtit do të vendosen kontrollet dhe personat e pa vaksinuar do të gjobiten nga 600 deri në 3600 euro në rast të përsëritjes së krimit.
Pjesë të ligjit mund të pezullohen me miratimin e komisionit parlamentar, nëse, për shembull, variantet e ardhshme të virusit janë më të buta ose ekspertët vlerësojnë se vaksinimi nuk është më rruga përpara.
Vaksinimi po bëhet i detyrueshëm në një numër në rritje vendesh për profesione të caktuara, kategori popullsie apo aktivitete të caktuara. Por vaksinimi antiCOVID-19 i detyrueshëm për të gjithë është ende një përjashtim.
Një masë e tillë hyri në fuqi në Ekuador, Taxhikistan, Turkmenistan, Indonezi dhe Mikronezi.
Në Gjermani, një propozim i ngjashëm, i mbrojtur nga kancelari socialdemokrat Olaf Scholz, mund të shqyrtohet në Bundestag në fund të janarit.
Qeveria austriake e justifikon këtë masë me mbingarkesën e spitaleve dhe dëshirën për të arritur një shkallë vaksinimi prej 90 për qind, që do të mundësonte, sipas këshillave të ekspertëve, arritjen e imunitetit kolektiv.
Sipas qeverisë, deri sot, 5.8 milionë njerëz kanë certifikatë vaksinimi në Austria, e cila ka 7.4 milionë njerëz që mund të vaksinohen.