Çështja e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovë ka shënuar edhe përplasjen e dytë të hapur në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit dhe shefit të politikës së BE-së dhe kryengociatorit, Josep Borell, pas përplasjes së hapur në dhjetorin e vitit të kaluar teksa kishin folur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Përplasja për punën e Asociacionit kishte filluar pas deklaratës së Borell në konferencën e përbashkët para gazetarëve, ku thoshte se Asociacioni është pjesë e marrëveshjes së Brukselit dhe se pret që marrëveshjet të respektohen dhe zbatohen plotësisht nga të dy palët.
Pas kësaj deklarate, ishte kundërpërgjigjur kryeministri Albin Kurti duke thënë se marrëveshja për Asociacionin nuk është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe si e tillë s’mund të themelohet.
“Janë 33 marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe dy të tretat e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia, por Beogradi gjithnjë e përmend vetëm një marrëveshje e cila nuk e ka kaluar sprovën në Gjykatën Kushtetuese. Mbaj mend se më 31 dhjetor të vitit 2015, kur Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin, asnjë serb në Kosovë nuk protestoi, vetëm Beogradi. Prandaj bisedimet duhet të kenë synim përfitimet e qytetarëve të të dyja vendeve”, kishte deklaruasr kryeministri Kurti në konferëncën e mbajtur më 8 dhjetor.
“Unë jam demokrat, prandaj besoj që kapitujt e ardhshëm të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk duhet të jenë aty për të kënaqur një politikan, për t’i shpëtuar lëkurën atij apo fytyrën e një politikani tjetër, por për të ndihmuar dhe për t’u shërbyer qytetarëve. Kam frikë se ky Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe, është më shumë në shërbim të Beogradit sesa qytetarëve të varfër serbë të Kosovës, të cilëve unë u shërbej si kryeministër i republikës sonë”, kishte shtuar tutje kryeministri Kurti.