Nasim Haradinaj sot gjatë seancës në Hagë me lot në sy është rrëfyer për maltretimet që kishte përjetuar para dhe gjatë luftës në Kosovë, raporton Periskopi.
Ai trego se si ishte detyruar të ikte në Shqipëri e pastaj kur ishte kthyer e kishte gjetur familjen pa asnjë mashkull aty.
’Na kanë detyru me dal ilegalisht në Shqipëri për me i pshtu asaj neve na kanë mbajtë 3 jave dhe na kanë kthy, Na kanë torturu, edhe mu edhe shoqen. Shoqja ka majt burg në Mitrovicë unë në Pejë dhe po atë ditë kam shku drejt në shpi dhe jam martu pa cermeoni sepse njerëzit nuk kanë guxu të na vijnë as në festa e as në vdekje. Po shyqyr vdekje s’kemi pasë. Ma kanë burgosë vëllain e vogël 16 vjecar dhe dhe e kanë mbajt 3 vjet e gjysmë. Kështu që kur kam ardhë në shpi e kam gjetë familjen femra’’, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka treguar se ishte i burgosuri politik më i riu në Evropë.
‘’Deri më 99 kam nejt në Kosovë kur jam detyru me lëshu Kosovën dhe jam shku si klandestin te vëllai jem në Suedi. Më 98′ më marrin dhe malterojnë shumë për cështjen e një miku tim në Suedi e pastaj më 99 s’kam nejt kështu me shpërthimin e demostratave filluan të vriteshin shqiptarët’’, shtoi ai.