Vrasja e gruas nga burri i saj në fshatin Llaushë të Skenderajt ka nxitur veprime nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të gruas.Kësisoj, qyteti i Skenderajt është mbushur sot me grafite nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, shkruan lajmi.net.
“Policia bashkëfajtore në vrasjen e grave”, “Burrat vrasin gratë, shteti hesht”, ishin disa nga grafitet e shënuara në muret e Skenderajt.
“Grafitet e sontme në qytetin e Skënderajit, nga muret e policisë e tek hapësirat tjera publike, përveç që denoncojnë fajtorët, janë edhe thirrje për revoltë kundër patriarkalizmit të institucionalizuar -që nga familja e në polici e gjykata- që po ua merr jetën grave”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.
Komunikata e plotë:
Dje, edhe një grua u vra nga burri i saj. Pas dhunës sistematike të ushtruar ndaj viktimës, për të cilën Policia ishte në dijeni, Skënder Qerimaj ia mori jetën Lirijes.
Vrasja e Lirijes mund të ishte e parandalushme. E ndjera e kishte raportuar dhunën e bashkëshortit në stacionin policor në Skënderaj por përkundër kësaj vrasësi u la i lirë disa orë pas raportimit dhe marrjes në pyetje. Kjo në vazhdën e neglizhimit institucional të sigurisë së grave e shtypjes sistematike që shteti ua bënë atyre. Sikur Policia të intervenonte drejtë e të gjitha hallkat tjera shtetërore të mos dështonin në mbrojtjen e grave, drejtësia për Lirijen do të mund të arrihej sa të ishte ajo gjallë.
Në këto kushte tmerri e frike, ne gishtin e drejtojmë drejt institucioneve të cilat, të sunduara nga mendësia patriarkale, po i vrasin gratë. Grafitet e sontme në qytetin e Skënderajit, nga muret e policisë e tek hapësirat tjera publike, përveç që denoncojnë fajtorët, janë edhe thirrje për revoltë kundër patriarkalizmit të institucionalizuar -që nga familja e në polici e gjykata- që po ua merr jetën grave.