Viti 2022 në Kosovë ka nisur me një tragjedi të re në familje, ku viktimë është një grua e cila u vra nga bashkëshorti i saj.
Rasti ka ndodhur mesditën e së mërkurës në Llaushë të Skenderajt.
Kjo vrasje ka ngjashmëri me shumë vrasje që kanë ndodhur në Kosovë ndër vite.
Viktima e kishte raportuar bashkëshortin për dhunë në familje, por që i njëjti ishte liruar pak orë pas arrestimit.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se institucionet e drejtësisë duhet t’i trajtojnë më me seriozitet rastet e dhunës në familje.
“Duhet të ndryshojë ky mentalitet i institucioneve që po minimizojnë rastet e dhunës në familje. Ata duhet t’i trajtojnë rastet me seriozitet dhe këta ushtrues të dhunës që më pas po përfundojnë si vrasës t’i marrin dënimet e merituara”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Berisha.
Avokati Fitim Gashi që në shumë raste ka përfaqësuar viktimat e dhunës në familje thotë se pas inicimit të rasteve në polici në të shumtën e rasteve dhuna ndalet.
“Në ato raste kur është caktuar masa e paraburgimit, dhuna nuk është përsëritur më. Janë raste të rralla kur dhuna është ripërsëritur edhe pas masës së paraburgimit, derisa në rastet kur ushtruesit e dhunës janë proceduar në liri, kemi përfundime tragjike si rasti i ditës së djeshme”, deklaroi avokati Fitim Gashi, përcjell Telegrafi.
Gashi tregon edhe një rast që sipas tij po të mos merrej seriozisht nga institucionet e drejtësisë do të përfundonte me fatalitet.
“Kur prokuroria ka parë faktet dhe dëshmitë ka vendosur për masën e paraburgimit. Për fat të mirë sot çifti është në procedurë divorci dhe dhuna ka përfunduar”, deklaroi avokati.
Gjatë vitit 2021 në Kosovë u vranë tri gra në mesin e të cilave edhe Marigona Osmani që dyshohet se u rrahë nga bashkëjetuesi për dy ditë.