Një 51-vjeçar me inicialet S.Q., dyshohet se ka qëlluar për vdekjen gruan e tij 48-vjeçare me inicialet L.Q., në fshatin Llaushë të Skenderajt.
Gazeta Blic mëson se 51 vjeçari quhet Skender Qerimi dhe se deri tek vrasja dyshohet se ka ardhur si pasojë e tradhtisë.
Mësohet se Qerimi kohë më parë kishte qenë i ndarë me gruan e tij, por që ishin bashkuar sërish.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës duke e cilësuar si “Vrasje e rëndë”.
Sipas Policisë, rreth orës 13:40, 51-vjeçari i cili u arrestuar nga Policia dyshohet se e ka plagosur gruan e tij, e cila është dërguar me urgjencë në Spitalin e Mitrovicës, ku ka ndërruar jetë.
“Nga hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se personi i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës (gruas së tij) L.Q., 48 vjeçare, e cila kishte pësuar lëndime të rënda, të njëjtën me urgjencë e kanë dërguar në spitalin rajonal në Mitrovicë. Ndërkohë nga autoritetet spitalore është raportuar se viktima si pasojë e plagëve kishte vdekur”, thuhet në njoftimin e Policisë.