Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për marrëveshjen me PDK-në në kryeqytet pas zgjedhjes së Kryesuesit të Kuvendit Komunal.
Rama ka thënë se ende nuk janë ndarë postet me PDK-në, mirëpo që u shpreh i bindur se në lidhje me këtë çështje nuk do të ketë probleme për shkak të siç tha ai “ngjashmërisë së programit të tij me atë të partive tjera”, shkruan lajmi.net.
“Nuk i kemi ndarë postet me PDK-së, kjo varet krejt prej njerëzve që na ofrojnë. Një gjë e mirë është që programi jonë ka qenë shumë i detajizuar, kemi ngjashmëri shumë me partitë tjera në program dhe nuk do të kemi probleme. Pra është vetëm në gjetjen e njerëzve adekuat”, ka thënë Rama.
Ai po ashtu u ka bërë thirrje edhe subjekteve tjera politike që t’i bashkohen në zhvillimin e projekteve.
“Ne e kemi për detyrë ndaj tyre që ta bëjmë një për bashkim të kemi shumicën, që projektet e tona t’i zbatojmë në përpikëri, prandaj edhe duhet që të gjithë partitë që kanë interes të për bashkohen. Tash e zgjodhëm kryesuesin, tash jemi edhe në zgjedhjen e ekipit më të mirë. Kjo nuk do t’i ngadalësojë punët”, deklaroi Rama.