Protestuesit dhe policia janë përleshur në disa qytete të Kazakistanit, ndërkohë që zgjerohen protestat pas rritjes së çmimeve të energjisë.
Në qytetin më të madh të Kazakistanit, Almati, qindra protestues, disa të pajisur me shkopinj gome, kanë hyrë në zyrën e kryetarit të qytetit më 5 janar, ndërkohë që policia është përballur me ta përmes gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës.
Ka pasur raportime për shpërthim të zjarrit në ndërtesë.
Presidenti, Qasym-Zhomart Toqaev, ka shkarkuar Qeverinë dhe ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në disa pjesë të Kazakistanit – duke përfshirë Almatin dhe kryeqytetin Nur-Sulltan – me qëllim të zvogëlimit të protestave, të cilat kanë shpërthyer tri ditë më parë për shkak të rritjes së çmimeve për gaz të lëngshëm, i cili përdoret për makina në shtetin e pasur me naftë.
Protestat shumë shpejt janë përhapur në gjithë shtetin, duke shfaqur mbështetje për protestat që kanë shpërthyer fillimisht në Mangastau.
Në protesta janë përmendur edhe pakënaqësi lidhur me çështjet si korrupsioni, papunësia dhe pagat e ulëta.
Sipas Ministrisë së Brendshme, më shumë se 200 persona janë ndalur gjatë protestave “në disa rajone” mirëpo vëzhguesit kanë thënë se shifra reale mund të jetë më e madhe.
Ministria ka thënë se të paktën 95 persona janë plagosur në përleshje.
Për protesta është raportuar edhe në qytetet tjera të Kazakistanit si Aqtau, Zhanaozen dhe Oral, pavarësisht problemeve me internet, të cilat janë parë si tentime të autoriteteve për të kufizuar aftësinë e protestuesve për t’u mobilizuar. /REL