Aplikimi i mësimit fetar në shkolla dhe lejimi i bartjes së mbulesës (shamisë) është temë që ka ngjallur reagime shpesh herë në Kosovë.
Deri sa disa nga qytetarët e kanë kërkuar aplikimin e edukatës fetare në shkolla dhe lejimin e bartjes së shamisë për gratë që duan ta bartin, të tjerët e kanë kundërshtuar një gjë të tillë duke thënë se arsimi dhe besimi fetar duhet të jenë të ndara.
Zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se në shkollat e Kosovës sigurisht që duhet të mësohet për fenë e cila ofron informacion për religjionet e ndryshme, por gjithnjë duke e ruajtur karakterin secular, ndërkaq ka thënë se edukata fetare si lëndë në vete, i takon bashkësive fetare dhe jo shkollës sekulare.
“Me siguri që në shkolla duhet të mësohet për fenë në formën e cila ofron informacion për religjionet e ndryshme, por gjithnjë duke e ruajtur karakterin sekular të shkollës. Kjo realizohet në kuadër të lëndëve të shkencave shoqërore siç janë historia, edukata qytetare, sociologjia, filozofia, etj., përmbajtjet e të cilave pasurohen në vazhdimësi. Ndërkaq, edukata fetare e cila ndërlidhet drejtpërdrejt me praktikimin e fesë i takon bashkësive fetare, e jo shkollës sekulare. Të gjitha bashkësitë fetare kanë programe të caktuara për edukatë fetare dhe është çështje e vullnetit të lirë të prindërve nëse fëmijët do t’i vijojnë ato programe. Shkolla jonë është laike dhe e tillë duhet të mbetet”, ka deklaruar Pupovci.
Ai ka thënë se nuk mund të krijojohet ndasi në mes të fëmijëve të konfesioneve të ndryshme brenda shkollave.Sipas statistikave nga MASHTI-i dhe të dhënat nga Bashkësia Islame e Kosovës, në Kosovë aktualisht janë 1 mijë e 58 shkolla të ndërtuara, ndërsa xhami janë 830. /Lajmi.net/