Pandemia Covid-19 bëri që të mbyllen rreth 3 mijë biznese në Kosovë në dy vitet e fundit.
Vetëm në vitin 2021 janë shuar 1,519 biznese.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, faktorë të tjerë përveç pandemisë që kanë ndikuar të shuhen një numër kaq i madh i bizneseve, është edhe mungesa e ofertës më të favorshme për të bërë biznes.
Numri më i madh i këtyre bizneseve që janë mbyllur kanë ushtruar veprimtari në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga hoteleria dhe akomodimi, si dhe industria përpunuese.
Në listën e bizneseve të falimentuara figurojnë edhe biznese në fushën e ndërtimit.
Në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë tregojnë se gjatë vitit 2020 kanë falimentuar 1,346 biznese, ndërkaq më 2021 janë shuar 1,519 ose 173 më shumë se viti paraprak.
“Arsyeja e shuarjeve është kryesisht shuarje vullnetare”, thuhet në një përgjigje me shkrim për KosovaPress nga MINT.
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi thekson se si rezultat i performancës së dobët ekonomike të bizneseve në vend, është rritur në vazhdimësi numri i kompanive të shuara.
Krasniqi shpreson se Qeveria e Kosovës do të miratojë një pako mbështetëse për bizneset si rrjedhojë edhe krizës energjetike në vend.