Për herë të tretë brenda një jave, hakerët e internetit kanë vënë në shënjestër mjekë në Greqinë Perëndimore me pretekstin e pagesës për një ekzaminim mjekësor të supozuar.
Sipas mediave greke, këtë herë viktimë e mashtrimit ka rënë një mjek nga Patras, nga llogaria e të cilit janë transferuar para,plot nëntë herë!
Ashtu si në rastet e mëparshme, autori i panjohur i ka telefonuar mjekut dhe i ka kërkuar numrin e llogarisë, gjoja për të depozituar paratë. Kur mjeku ia dha, ai mori një mesazh në celularin e tij, ku si dërgues shfaqej banka dhe i kërkonte të konfirmonte kodet e kartës së tij bankare për t’i kredituar shumën e depozitës.
Sipas asaj që doktori ka dëshmuar më pas në Polici, autori ka kryer nëntë transferta parash nga llogaria e tij te të tjerët, duke arritur të nxjerrë shumën totale prej 35 800 euro! Policia po përpiqet të identifikojë pronarët e llogarive ku kanë përfunduar paratë dhe ka ngritur një çështje për mashtrim në internet ndaj një të panjohuri.
Ndoshta autori është i njëjti, që pak ditë më parë kishte mashtruar me të njëjtën metodë një mjek në Nafpaktos , nga llogaria e të cilit u transferuan në 11224 euro të tjera, por edhe një mjek në Pirgos nga llogaria e të cilit kishin bërë 3000 euro në prag të Krishtlindjeve!