Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku e ka pranuar se ka qenë pikërisht ai që e ka njoftuar Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin lidhur me aktakuzën për listat e fryra të veteranëve. Millaku ka mohuar që kishin bërë marrëveshje me Prokurorin Elez Blakaj që të mos e njoftonin Lumezin për këtë rast, madje as kur aktakuza të dërgohej në gjykatë, sikurse që kishte deklaruar Blakaj, shkruan Express.
Ish-Prokurori Elez Blakaj i cili dha dorëheqje ditë më parë, kishte deklaruar se ishin marrë vesh me Reshat Millakun që të mos e njoftonin Lumezin për asnjë detaj lidhur me aktakuzën për listat e fryra të veteranëve, por se gjërat në fund nuk kishin shkuar sipas planit, pasi që Lumezi kishte marrë vesh gjithçka.
“Jemi marr vesh me Kryeprokurorin e PSRK-se z. Millaku “se për asnjë veprim tjetër për rastin e “Veteranëve” nuk do ta informojmë z. Lumezi, e madje edhe kur do ta ngrisim aktakuzën, PO NUK MË DOLI KËSHTU”, doli qe z. Lumezi ka qënë i njoftuar për veprimet dhe aktakuzën dhe se z. Reshat Millaku për më shumë se një muaj nuk me ktheu përgjigjie, duke e mbajtur aktakuzën të cilën e kisha nënshkruar ani pse të gjitha provat dhe shkresat janë gati për të shkuar në gjykatë dhe se ajo aktakuzë, në atë përmbajtje dhe me ata të akuzuar, nuk po shkonte”, kishte shkruar Blakaj.
E se Reshat Millaku ka qenë ai që e ka informuar Lumezin, e ka pranuar vet Millaku sot në një konferencë të thirrur për media nga Kryeprokurori i Shtetit. Por, Millaku mohon të kenë bërë një marrëveshje të tillë me Blakajn.
“Nuk kemi pas ndonjë marrëveshje për mos ta informuar Kryeprokurorin Lumezi. Unë si kordinatorë në këtë rast, e kam informuar Lumezin, pasi që ai është Kryeprokuror i Shtetit”, ka deklaruar Millaku.
Edhe sot, sikurse Lumezi ashtu edhe Millaku kanë përsëritur se aktakuza nuk ka qenë e nënshkruar, edhe pse Blakaj kishte thënë se e kishte dorëzuar të nënshkruar./Gazeta Express