Nga Ilir Ikonomi
Gjallë dhe vdekur – një ritual i rrallë shqiptar
“U shtanga kur hasa në këtë foto dramatike nga një rit mortor në veriun e Shqipërisë. Viti duhet të jetë 1940 dhe duket se bën ftohtë.
Sa afër janë jeta dhe vdekja në këtë skenë!
Një fotograf italian, emrin e të cilit nuk e kam gjetur, ka shkuar për të mbledhur material etnografik dhe është ndodhur përpara një befasie me këto gra që rrethojnë të vdekurën mbi një shtrat të improvizuar me rrasa druri.
Gratë janë të veshura me rroba tradicionale dhe gati njësoj: shami, jelek, përparëse, çorape të trasha leshi, opinga. Pastër dhe bukur.
E veshur si të tjerat, e vdekura është nxjerrë jashtë mureve të shtëpisë, siç duket për një lamtumirë të fundit.
Gratë rrinë të heshtura, por në fytyrat e tyre nuk sheh ndonjë dëshpërim të dukshëm. Janë dinjitoze dhe nuk vajtojnë, përkundrazi kanë një farë vështrimi përbuzës, gati përqeshës për vdekjen.
Me duar të kryqëzuara nga të ftohtit, ose nga zakoni ato të japin përshtypjen sikur e kanë harruar një çast të vdekurën dhe po hetojnë me kureshtje fotografin e huaj, që ka ardhur të shohë këtë ritual të rrallë në malet shqiptare”