Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Florent Maqkaj, ka bërë të ditur se familjet e dëshmorëve kanë përfituar 100 euro plus të pensionit vetëm në muajin nëntor, derisa për këtë muaj dhjetor nuk janë ekzekutuar fare, shkruan Gazeta Metro.
Me anë të një postimi në Facebook, Maqkaj ka ndarë një informacion për publikun, ku ka treguar se veç në muajin nëntor familjet e dëshmorëve kanë ‘përfituar’ 100 euro plus të pensionit, dhjetorin e ka ndalë Qeveria Kurti.
“Sa për informacion për publikun e gjerë, veq në muajin nëntorë familjet e dëshmorëve kan “përfituar” 100 euro + pensionit, dhjetorin e kishte ndale lideri, shpresojmë ta rregulloj kekun me ato para të paktën! Nuk e di çfar ekonomista ka apo ndoshta ka shpik ndonjë valutë të re se 100 euro nuk jan 1200, dhe rritja ekonomike për të cilën po flasin prej fillimit të mandatit nuk po shihet, zoti hajr e bëftë”, ka shkruar ai.
Tutje në fund Maqkaj ka pyetur se ku shkojnë ato shtesa tani që nuk i janë dhënë si familjeve të dëshmorëve, si pensionet e pleqve ashtu dhe rasteve sociale.
“Edhe një pyetje për fund, ku shkojn tani ato shtesa që nuk i jan dhënë si familjeve të deshmorëve, si pensionet e pleqve ashtu dhe rasteve sociale, pasiqë vendimi është miratuar dhe ato mjete kan qenë të ndara?”, ka shkruar ai.
Ndryshe në tetor, Qeveria e Kosovës ka marr vendim që t’ua ndajë nga 100 euro shtesë të gjithë pensionistet për muajin nëntor. Ndërsa, për muajin nëntor e dhjetor të dyfishohen pagesat e përfituesve të skemave sociale.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati kishte thënë se nga ky vendim do të përfitojnë 300 mijë familje.
“Duke konsideruar rrethanat të cilat kanë ndikuar në ekonominë e Kosovës, Ministria e Financave në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike ndaj pandemisë COVID-19, mbështetja 3.2 për pensionistët propozon ndarjen e 30 milionë eurove në ndihmë të skemave pensionale. Me këtë vendim, synohet mbështetja e kategorive më të cenueshme, pra do të ndajmë 100 euro shtesë për nga skema pensionale që paguan shteti, për deri sa pensioni nuk kalon 500 euro, përkatësisht 300 mijë familje do të përfitojnë nga kjo masë. Do të përfitojnë 200 mijë familje dhe 20 mijë familje nga pensionet e luftës dhe 30 mijë pensionist të kategorive të tjera”, kishte shkkruar Murati.
Ndryshe ky vendim atëherë ishte cilësuar popullist, pasi ishte marrë shumë pak ditë para zgjedhjeve të balotazhit në vend