Shkruan ,Pali Nito
Pasuritë marramendëse të disa politikanëve tanë i kanë zili dhe i xhelozojnë edhe sheikët e Katarit
Për ironi të fatit demokracia na bëri peshqesh ca palo burra që duke shfrytëzuar pushtetin e pamerituar me korrupsion e me tendera dhe afera të ndryshme ,sheikët shqiptarë notojnë në pasuri të pajustifikueshme që pikon gjak i pastër i qytetarëve të varfër e mjeranë
Shqipëria dhe kombi shqiptar historikisht kanë nxjerrë burra shteti me emër që kanë bërë histori dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shërbimet ndaj atdheut dhe popullit. I madhi heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, më i madhi i të gjitha kohërave jo vetëm për Shqipërinë, rajonin dhe më gjerë ka meritën proverbiale për mbrojtjen e vëndit nga hordhitë otomane dhe jo vetëm të vendit, por edhe të Europës, të cilin me meritë Europa e emërtoi me titullin Kalorësi i Krishtërimit
. Burrë shteti me jo me pak merita dhe kontribute është Ismail Bej Vlora, që ngriti flamurin tonë kombëtar dhe shpalli pavarçsinë e Shqipërisë në qytetin heroik të Vlorës. Burra shteti kanë qenë e do të kujtohen si të tillë , Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, që bënë aq shumë për mbrojtjen e Kosovës nga regjimi skllavërues serb i asaj kohe. Por për çudi si dhe për ironi të fatit demokracia ose më saktë dermoshkërdhata na bëri peshqesh ca palo burra që duke shfrytëzuar pushtetin e pamerituar me pelivanllëqe dhe me allishverishe me korrupsion e me tendera dhe afera të ndryshme e me punë e veprime nga më të pista ja dolën dhe ja arritën të bëhen burra sheik shqiptarë e që i ka bërë xheloz dhe sheikët e Katarit dhe ata të Arabisë Saudite.
Dhe xhelozia e tyre është e justifikueshme: sepse sheikët e rinj shqiptarë notojnë në pasuri të pajustifikueshme e që pikon gjak i pastër i qytetarëve të varfër e mjeranë. Pasuri të tilla marramendëse e prej sheikësh konsistojnë në disa llogari bankare të niveleve të ndryshme brenda dhe jashtç vëndit ku me llogari të tilla figurojnë burri dhe gruaja, madje me llogari të tilla bankare edhe fëmijët: plus që këta politikanë edhe fëmijëve u kanë siguruar studime jashtë shtetit në shkolla dhe akademi prestigjoze e duke paguar shuma të konsiderueshme që jo kushdo mund t’i përballojë këto shpenzime marramendëse. Gjithashtu pasuria e këtyre politikanëve dhe ish pushtetarëve dhe zyrtarëve të lartë konsiston në pasuri të shumta e të ndryshme të luajtshme e të paluajtshme si dhjetra pallate dhe apartamente, vila luksoze në të gjithë vijën bregdetare nga Ksamili e deri në Velipojë si dhe në zona malore si Voskopoja, Dardhë, Llogara, Theth, Valbonë e kudo e gjithandej.
Po kështu këta sheikë të tipit alla shqiptarë kanë qindra e mijra metra katrorë toka truall dhe qindra hektare toka bujqësore, lokale dhe resorte luksoze, parkingje, lavazhe, kazino etj, që janë aq të shumta e të pambarimta saqë është vështirë t’i numërosh. Dhe vetiu e natyrshëm shtrohet pyetja logjike dhe kritike: A munden vallë të vihen gjithë këto pasuri përrallore vetëm me pagën e shtetit?! Dhe pyetja është kurrsesi jo. Është pikërisht kjo arsyeja që departamenti amerikan i shtetit jep mesazhin e qartë dhe jep alarmin për luftën kundër korrupsionit, që shpall “NON”grata personalitete të politikës, të ekzekutivit e të drejtësisë dhe e ka gati listçn për shpalljen “NON”grata të personave të tjerë, prandaj politika dhe qeveria shqiptare t’i kuptojë qartë mesazhet amerikane e të bashkëpunojë ngushtësisht me autoritetet amerikane në luftën kundër korrupsionit, kësaj sëmundjeje kanceroze, që po dominon planetin tonë e në veçanti Shqipërinë tonë halle madhe e në këtë tranzicion ekstremisht të tejzgjatur e që askush nuk mund ta parashikojë se sa do të zgjasë e kur do të përfundojë. Por paradoksalisht e në mënyrë të çuditshme të befason fakti i pakundërshtueshëm, se ndonëse politikanë, pushtetarë ish -politikanë, ish -pushtetarë oligarkë e pushtetarë të lartë vazhdojnë të pasurohen, shteti, qeveria dhe gjithë institucionet e tjera përfshi dhe drejtësinë përballë kësaj situate dhe etje për pasuri, heshtin dhe nuk reagojnë por e pranojnë një situatç të tillë me një qetësi apolostolike duke bërë gjumin e rëndë alergjik.
Dhe sikur të mos mjaftonin gjithë këto zullume, të korruptuarit, xhvatësit, manovratorët, xhonglerët, zullumqarët përfshi këtu edhe individë të veshur me veladonë politikë dhe pushtetmbajtës aktualë e të mëparshëm tashmë tepër të etur për pasuri: i kanë kthyer sytë nga konçesionet, shfrytëzimi i të cilëve është një tjetër burim me mundësi pasurimi. Një tjetër burim për t’u pasuruar është implikimi i zyrtarëve të lartë përfshi këtu dhe politikanë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Pra si konkluzion është kjo arsyeja që për pasuritë maramendëse të politikanëve dhe pushtetarëve tanë zilizohen dhe i bën xheloz edhe sheikët e Katarit dhe ata të Arabisë Saudite.