Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se Kosova devijon rreth 5 milionë euro në ditë energji elektrike në një krizë, rezultati i keq i së cilës tha se është rezultat i veprimeve dhe vendimeve të kryeministrit Albin Kurti, raporton Gazeta Express.
Gashi tha se Kurti po e falimenton KEDS-in. Sipas tij, shumica e kompanive në Kosovë janë para falimentimit.
“Kosova në mënyrë të padrejtë devijon rreth 5 milionë euro në ditë energji elektrike. Kjo është kriza. Ky është rezultati që e ka prodhu ky kryeministër. Pra, njerëzit e vetë që i ka çu në KEK dëshmojnë paaftësi, njerëzit e vetë që i ka çu në ZRrE, e falimentojnë KEDS-in dhe për pasojë, i qesin në rrezik falimentimi shumicën e kompanive në Kosovë. Shumica e kompanive në Kosovë sot janë para falimentimit”, tha Gashi.
Ai tha se kompanitë po detyrohen të blejnë gjeneratorë për të prodhuar rrymë.
“Ato duhet të shohin për burime alternative të energjisë elektrike, pra për blerjen e gjeneratorëve me dhjetëra e qindra-mijëra euro për të prodhuar energji elektrike dhe për të mbajtur linjat e tyre të prodhimit… Ky është rezultati që e jep kjo Qeveri. Ky është rezultat Krejt dhe Drejt i kapjes për fyti të shtetit të Kosovës”, tha Gashi.