Eksperti i energjetikës Lulzim Syla deklaroi se në ngritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe çështjen e reduktimeve të ditëve të fundit kanë ndikuar disa faktorë.
Ai tha se e vetmja masë ka qenë kursimi i energjisë sepse për çdo gjë kemi qenë vonë dhe, sipas tij, edhe Maqedonia e Shqipëria kanë qenë në gjendje të njëjtë.Përveç faktit që rritja e çmimit të energjisë pothuajse ka qenë e paparashikuar, indikatorë të tjerë pothuajse janë të njëjtë. Energjia elektrike gjithmonë është konsumuar në masë të madhe te ne sepse është përdorur për ngrohje dhe kjo ka bërë që kërkesa për energji edhe gjatë viteve të kaluara të shkojë në 900-1300 megavat orë, prandaj edhe ka qenë problematike mbulueshmëria në aspektin financiar kur kemi parasysh se nga viti i kaluar çmimi i energjisë ka qenë rreth 60-70 euro për megavat orë, ndërsa javët e fundit ka arritur deri në 500 euro dhe kjo e ka tejkaluar çdo parashikim të mundshëm për vlerësim të kostos dhe në këtë aspekt është krijuar edhe një disbalanc i madh mes aftësisë për të paguar detyrimet që dalin si rezultat i importit të energjisë elektrike.
Kjo ka bërë që të krijohet një gjendje e jashtëzakonshme dhe pakënaqësi te qytetarët që të ketë edhe reduktime të energjisë elektrike, për shkak se në fund të ditës, atë energji elektrike është dashur ta paguajë nga buxheti i Kosovës, pra një pjesë që u nda herën e fundit 20 milionë euro dhe pjesa tjetër është mbuluar nga KEDS-i”, tha Syla në Klan Kosova.
Syla po ashtu u shpreh se problemi është edhe te ajo që nuk mund ta ndryshosh çmimin e tregut dhe se kompanitë që shesin energji janë gjithmonë një hap para teje.
“Edhe po të kishte planifikim në blerje të energjisë, do të ishte e pamundur të blihej me 60-70 euro, sepse ka pasur ngritje çmimi në gjithë tregun e Evropës”, përfundoi ai.