Gazetari Berat Buzhala i ka sugjeruar kryeministrit Albin Kurti që të bisedojë me shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilën për krizën energjetike në të cilën gjendet Kosova.
Në një postim në Facebook ku kreu i Ekzekutivit u tha qytetarëve se nuk ka zgjidhje të mirë në këtë situatë dhe se duhet zgjedhur mes reduktimeve dhe rritjes së çmimit të rrymës, Buzhala komentoi duke ia bërë disa pyetje.
Ai e pyeti kryeministrin nëse Kusari-Lila është pjesë e strukturave kriminale të qeverive të kaluara, të cilat Kurti i bën përgjegjëse për krizën.
“Kryeminister pse nuk po bisedon me shefen e grupit parlamentar te Vetevendosjes, Mimoza Kusarin, si pjesemarrjese direkte ne privatizimin e rrjetit te distribucionit? A eshte edhe ajo pjese e strukturave kriminale te qeverive te kaluara? Ajo ka qene ministre ne disa qeveri, madje me pozita kyçe”, shkroi Buzhala.
Kurti shkroi se shumë më herët, qeveritë e kaluara është dashur të mendojnë që Kosova të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe, duke e përmendur si një prej faktorëve kryesorë privatizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
“Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjellur në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro”, ka shkruar Kurti, duke thënë se tani kanë strategji nacionale energjetike për dekadën e ardhshme.
Kurti në opozitë e në qeveri ka thënë disa herë se “Të shitet rrjeti i distribucionit për 26 milionë euro është krim”. Por Mimoza Kusari-Lila, që ishte ministre e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe anëtare e Komisionit për privatizimin e distribucionit, aktualisht është kryetare e GP të LVV-së.