Banorët e Veternikut në orët e mbrëmjes kanë protestuar për mungesën e energjisë elektrike, një problem ky me të cilin po përballet krejt Kosova.
Njëri nga përfaqësuesit e lagjes, Tomor Baruti, tha se po protestojnë në shenjë pakënaqësie pasi janë bërë më shumë se 24 orë që janë pa energji elektrike dhe nuk kanë asnjë përgjigje nga KEDS-i.
“Prej mbrëmë, në orën 23:00, nuk kemi rrymë. Shumica e banorëve këtu ngrohen me rrymë. KEDS-i nuk na lajmërohet ndonëse e kemi thirrur të gjithë banorët, madje edhe kemi shkuar edhe aty. Asnjë përgjigje nuk kemi. Halli jonë është që rrymë nuk kemi, e as përgjigje nuk kemi dhe nuk e dimë ku është problemi”.
Meqë shumica e banorëve të kësaj lagje të qytetit ngrohen me rrymë, Baruti në “Edicionin Special” në Klan Kosova ka thënë se i kanë dërguar familjet tek familjarët e tjerë dhe në shtëpi po qëndrojnë vetëm kryefamiljarët.
“Shumica i kemi larguar familjet nga shtëpitë dhe i kemi dërguar te të afërmit. Ne po rrimë, sepse duhet të jetë dikush në shtëpi për shkaqe sigurie. Problemi më i madh është që askush nuk na jep përgjigje”.
Ai ka thënë se nëse edhe pas kësaj proteste nuk do të marrin përgjigje nga KEDS-i do të detyrohen që të ndërmarrin hapa edhe më drastikë.
“Ne jemi në hall dhe në shenjë proteste kemi dalë këtu. Në rast se nuk na përgjigjet askush nga KEDS-i, ne do ta bllokojmë rrugën kryesore në lagjen Veternik. Nuk kemi rrugëdalje tjetër. Le të na përgjigjet dikush pse nuk kemi rrymë”.
Edhe një banor tjetër i kësaj lagje ka thënë se mungesa e energjisë elektrike për shumë orë ka bërë që të largojnë familjet nga shtëpitë.
“Sigurisht që na ka shkaktuar vështirësi se është dashur që të largohen familjarët. Kemi edhe pleq. Duam një përgjigje se kur do të kemi rrymë dhe jemi të pajtimit të ketë reduktime si te të gjithë, por jo në këtë mënyrë”.
https://www.youtube.com/watch?v=V1k5hpRJ3bs