Intervistë me vetveten/ Kujtimet e shkrimtarit Petro Marko: Ju tregoj prapaskenat e Luftës, pse Koci Xoxe e urrente Enverin dhe bisedat me ne. Në Berat Koci më tha: Enveri është futur kontrabandë në parti, ndërsa Sejfulla Malëshova më porositi: Kjo është parti terroristësh, mos e hap gojën se do ta pësosh
Vepra
“Intervistë me vetveten”
Autori shfaqet gjatë rrëfimit të historisë së tij në “Intervistë me vetveten” si një krijesë mitologjie e lindur ta mbajë shpatën ngritur dhe të gatshme për të goditur të keqen kudo qoftë ajo, i bindur se ashtu e pastronte dhe qiellin e tokës së vendlindjes. Me këtë besim madhor Petro Marko pas vitesh e betejash të pandërprera nëpër Evropë, më 1944 do të kthehet në Shqipëri. Në moshën 30- vjeçare, por me aq bëma mbi shpinë, sa në jetën e një njeriu të zakonshëm nuk mund të ngarkohen as për një shekull, P.Marko sa qe gjallë, do të përjetojë në atdhe zhgënjimin dhe dhembjen më të thekshme. Ditët e para në Tiranë, pasi e emërojnë përgjegjës shtypi, i caktojnë shtëpinë ku do të jetonte. Vonë në mbrëmje, që natën e parë, ai do jetë dëshmitar i një takimi trishtues me famlijen, pronarin e vilës: “Shoku Petro na kanë dhënë urdhër t’jua lëshojmë shtëpinë me krejt çka ka në të, ku do të vendosemi dhe a mund të marrim me vete ndonjë gjë personale”, e pret zonja e shtëpisë duke u dridhur. Petroja trishtohet, lë shtëpinë dhe kërkon sqarim nga shokët – mos është ndonjë gabim apo keqkuptim? Kështu e fillon rrëfimin e vet në veprën voluminoze “Intervistë me vetveten”, që është një nga dëshmitë më rrëqethëse për atë që do të vinte dhe do ta mbërthente Shqipërinë gjatë diktaturës Komuniste. Po ashtu do ta detyrojnë Petro Markon që të futet nën tutelën e gazetës “Borba” të Beogradit. Por ai nuk pranon: “Ne kemi më shumë traditë, jemi vazhduesit e gazetës “Bashkimi i Kombit” para lufte, le të mësojë “Borba” nga ne”, e këtu do zinte fill kalvari i ri i burgosjeve dhe persekutimeve të një egërsie që nuk e kishte provuar më parë. Një bashkëluftëtar nga Italia pas afro 50 vjetësh, diku para vdekjes, do t’i thotë Petros “Shkruaje rrugën, historinë tënde se ajo vlen më shumë se 100 romane.” Dhe vërtet, libri “Intervistë me vetveten” është historia për gjysmë shekulli e Shqipërisë. Përmes kësaj vepre njihet më mirë drama e kombit.
ARKIVA/ Pjesë nga libri “Intervistë me vetveten”, i shkrimtarit të madh shqiptar Petro Marko
Prapaskenat e Luftës, ja pse Koçi Xoxe urrente Enverin
Koçi Xoxe më tha: Enveri na është futur kontrabandë në parti
Porosia e Sejfulla Malëshovës: Kjo është parti terroristësh, mos e hap gojën ndryshe do ta pësosh
Petro Marko ka lindur ne nëntor të 1915, në fshatin Dhërmi dhe u nda nga jeta në dhjetor të 1991-it. I ati quhej Marko kurse e ëma Zoice. Që kur ishte nxënës i Shkollës Tregtare në Vlorë, që e nisi më 1924-n e kreu në vitin 1932, filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra. N’atë shkollë pati si drejtor edhe arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsin dhe si mësues Ernest Koliqin…
…Po më shumë se në çdo vepër filozofia e të jetuarit të Petro Markos ndjehet veçanërisht në librin monumental “Intervistë me vetveten”, lënë dorëshkrim dhe botuar 10 vjet pas vdekjes së autorit. Në këtë vepër rrugën e tij jetësore, jetëshkrimin e tij Petro Marko i lë si dëshmi të drejtpërdrejta, pa u distancuar përmes personazheve letrarë, siç vepron në shumicën e romaneve. Rrëfimi është i rreptë dhe total, ai ngrihet në shkallë të një metafore për rrugën e Shqipërisë gjatë 60 vjetëve, në metaforë të luftës së pandërprerë të njeriut mes së mirës dhe së keqes. Luftëtar dhe kryeluftëtar në Spanjë, në Francë dhe Itali, kryengritës burgjesh nëpër Evropë dhe në Mesdhe, P.Marko marshon fuqishëm drejt atdheut të vet, i cili ishte i pushtuar nga fashizmi. Ja disa nga fragmentet e këtij libri:
Pyetje:- Pse e ndërpreve këtë intervistë me vetveten 14 vjet më parë dhe po vazhdon përseri tani, në korrik 1991?
Përgjigje:- Ishte e pamundur të shkruaja, se, edhe ta mendoja, ishte me rrezik jete… Më kujtohen vitet tridhjetë: kisha vajtur në Korçë për të bërë një anketë për gazetën “Vatra”, ku punoja. Kisha njohur Viti Shahinin (Afërdita), një shoqe shumë e mirë që studionte në Francë, ku pati njohur Halim Xhelon, i cili i jepte materiale për mua. (Ajo më vonë u martua me mikun tim të dashur Zef Mala, njeri shumë i kulturuar, themelues i grupit komunist të Shkodrës që më 1937) Njoha dhe vëllanë e saj Ilo Shahinin, të cilit i mësova të këndonte “Internacionalen”. Plaku Vangjel, i ati i Vitit dhe i Ilos, pyeti se ç’ishte kjo këngë. Ia shpjeguam dhe ai menjëherë thirri: “Aman, mos e mësoni, se kur të shkoni në Tiranë, në hotel, mund ta këndoni në gjumë e pastaj na merr lumi! Ja ç’frike na kishte hyrë në palcë. Tani do të më kuptoni dhe do të më jepni të drejtë pse unë nuk i shkrova ndërkohë kujtimet e mia që nga ora kur zbrita në Himarë- tetor 1944- me rreth 200 vullnetarë të ardhur nga burgjet dhe internimet: sepse mund të më bëhej përsëri një kontroll i befasishëm dhe të m’i gjenin, siç ndodhi me mua më 1947 dhe më vonë me djalin tim, që u arrestua më 1975-n. Do të rrezikoja veten dhe gjithë familjen time. Dhe tani po rikthehem atje ku e lashë. Nuk e përshkruaj dot çastin kur vaporët iu afruan bregut të Spilesë së Himarës. Shikoja shumë njerëz që na prisnin. Midis tyre një turmë skeletesh, të mbuluara kokë e këmbë me lecka, thërrisnin italisht “portateci in Italia, vi preghiamo!” dhe u hodhën në det, por një krismë automatiku i trembi dhe unë dëgjova një zë që bërtiste: “Ose kthehuni, ose ju vrava.” Ishte zëri i Minella Kolekës. U trondita dhe dola i pari, i’u hodha në qafë, e përqafova dhe i thashë: Pse nuk i lë këta italianë të mjerë, të kthehen në Itali? Gjer tani,- më tha ai,- ne kemi riatdhesuar me mijëra e mijëra ushtarë italianë, të cilët i kanë mbajtur familjet shqiptare për t’i shpëtuar nga gjermanët. Vinte këtu gjenerali italian Azzo Azzi dhe i ngarkonte me vaporë. Tani kemi marrë urdhër që t’i grumbullojmë dhe pastaj t’i dërgojmë ne, qeveria jonë në Itali.
Pyetje:- Kush ishte Minella Koleka?
Përgjigje: – Ishte një nga shokët më të mirë të asaj kohe. Patriot e revolucionar, shok i Halim Xhelos dhe i Omer Nishanit, kishte qenë burgosur dhe kishim qenë bashkë në burgun e Tiranës. Pastaj e shpunë në burgun e Vlorës dhe që andej u arratis dhe kaloi në ilegalitet. Me trimin Zaho Koka themeluan Çetën plakë të Tiranës. Ai ishte më i rëndësishëm, prandaj, kur u çlirua Jugu, në Himarë caktuan Minellën si kryetar të komitetit. Merre me mend se sa me mall flisnim me sytë të njomur nga lotët: ai më tregonte për luftën, për shokët e vrarë: unë i tregoja për vuajtjet në burgje dhe në ishujt e Italisë. Minella shtroi një drekë të madhe për ekuipazhin e të dy vaporëve që na sollën dhe ngritën dolli për miqësinë e popujve të koalicionit antifashist. Për ne që ktheheshim të gjallë në Shqipërinë që po çlirohej, po realizohej ëndrra e madhe
Pyetje:- Po më pas?
Përgjigje:- Qëllimi ynë ishte të arrinim në Berat, ku ishte qeveria jonë demokratike. Dhe u nisëm të ngarkuar me armë e me arka. Arritëm në Dhërmi, ku na pritën me ngrohtësi të madhe. Nxitoja nëpër gurë, mes ullinjve, në të përpjetën drejt shtëpisë sime. Më kishte marrë malli jo vetëm për motrën e vëllezërit, për tërë farefisin e bashkëfshatarët, por edhe për gurët e për drurët. Pasi u takuam me lot e përmallim të madh, që u ktheva sërish gjallë, shtëpia filloi të mbushej me njerëz. Erdhi i tërë fshati. Plakat vajtonin tim atë, më puthnin e më numëronin vuajtjet e mia e të familjes sime. Kthimi im ishte një gëzim, po gëzim i larë në lot, pasi hëngrëm një kafshatë bukë, fshatarët i morën të gjithë të ardhurit dhe i shpërndanë nëpër shtëpitë e tyre. Kur mbeta vetëm me Lilon (që emrin e vërtetë e kishte Vasiliqi), nuk më la të flisja për vuajtjet e mia, se i dridhej buza, ngaqë më donte shumë, por filloi të më tregonte se çfarë kishte bërë ajo për luftën. Kishte pritur në shtëpinë e madhe e të varfër plot partizanë, të cilave u vinte kazanin me ujë të ngrohtë e sapun, që të laheshin e të pastronin veshmbathjet nga morrat. Midis tyre kishte qenë edhe Xhevo Shehu e shoqja e “Heroit të Popullit” Abaz Shehu. Më tregonte këto, për të më dhënë një kënaqësi, që edhe ajo, me sa mundi, diçka bëri për luftën. Më tha se, kur ndihmonte partizanët, më kujtonte mua dhe e bënte për mua, që më shumë më mendonte të vdekur se të gjallë. Ndërkohë ishin rritur edhe fëmijët e Andonit, kurse vëllai i vogël, Agjisilla, që ishte martuar me një nuse të bukur e të mirë, kishte edhe ai fëmijë më të vegjël. Në krahun tjetër të shtëpisë, te xhaxhai im Andrea Marko, i vrarë në hasmëri, edhe i biri i tij, Jani Marko, megjithëse kishte qenë kryeplak i fshatit në kohë të gjermanëve, i kishte ndihmuar shumë partizanët. Në maj të vitit 1944, dikush e vrau në pritë Janin, që la gruan me një vajzë e 6 djem jetimë. Kur u ndamë, më kishte siguruar se do të ishte në krah tim. Vrasja e tij mbeti një mister që nuk u sqarua kurrë. Të 7 fëmijët e tij mbetën në skamje dhe i ndoqi tërë jetën si hije vdekja e babait. Mbetën të persekutuar. U nisëm për në Berat. Ecnim të ngarkuar dhe të lumtur, se ishim në tokën tonë. Natën arritëm në Dukat. Kërkova Koço Kaporen, që e kisha timin dhe ai, si kryetar këshilli, i ndau shokët nëpër familje. Na kishin thënë në Himarë që të kishim kujdes në Dukat, se aty ende kishte ballistë. Në shtëpinë e Koço Kopores erdhi dhe paria e Dukatit, disa prej të cilëve i njihja. Folëm shumë dhe ata mallkonin kohën kur u arrestova unë, se nuk do të ishin gënjyer nga disa prijës ballistë, që thonin se gjoja ne ishim me amerikanët. Erdhi edhe trimi Maliq Koshena dhe me tha: “S’ta jap dorën, o Petro vëllai, se e kam me ***… Ç’e do, ike ti dhe ne u gabuam, se na gënjyen… Dukati nuk është tradhtuar. Po të tregoj një episod: partizanët kishin ngelur në qafë të Llogarasë, se aty ishin gjermanet në istikam. Unë vajta me çetën time dhe me thika u hodhëm në istikamet gjermane, i asgjësuam dhe u thamë partizanëve: kaloni tani, se gjermanët i asgjësuam!” Maliq Koshena dhe patriotet e tjerë nuk i dinin mirë arsyet pse njerëz si Skënder Muçoja, si mik i Mit’hat Frashërit dhe mik i amerikanëve, ishin kundër Partisë: këta e dinin që Partinë e krijuan jugosllavët me anën e Dushanit dhe të Miladin Popoviçit. Këto i kuptuam më vonë… Nga Dukati u nisëm për në Vlorë, ku unë takova shokët e vjetër, që u gëzuan pa masë, kur më panë. Ne mburreshim se në Vlorë ishte shtypur trakti i parë kundër okupatorit, në shtëpinë e Ibrahim Shytit, i cili u burgos me gjithë familjen (një djalë i tij u vra në Prishtinë). Familja e patriotit Ibrahim Shyti është familja e parë që u persekutua dhe u shkatërrua nga okupatori.
Njohja me Enver Hoxhën/ Koçi Xoxe më tha: Enveri na është futur kontrabandë në parti
Pyetje: – Po kur arriti në Berat?
Përgjigje: – Në Berat, duke ecur të shumtën e herës në këmbë, të ngarkuar, arritëm nga fundi i tetorit. E para gjë që duhej të bëja, ishte të paraqitesha në shtab. Kur hyra në zyrë, pashë Koçi Xoxen, me të cilin u përqafuam me lot në sy, se, kur më morën të lidhur për në Itali, Koçin e lashë në burgun e Tiranës. Ai më mëkonte me lugë, se unë isha më paratifo. Koçi ishte veshur me kilota dhe me një xhakovente alpine. Më tha: -“Ja, ky është shoku Enver Hoxha, sekretari i Partisë dhe kryetari i qeverisë demokratike”. Enveri më dha dorën me shumë mirësjellje dhe me tha: -“Koçin e kemi kolonën e Partisë. Ai është sekretari organizativ i Partisë”. Kisha bërë disa karakteristika të një pjese prej atyre 200 vetave që erdhën me ne nga Italia. Ato i mori Teodor Heba, që ishte aty sekretar. Të gjithë i shpërndanë në familje beratase; mua më caktuan në shtëpinë e Sallabandës, afër shtëpisë se Margarita Tutulanit, në Goricë. Kur u largova nga zyrat e qeverisë, që ishin në sarajet e Vrionasve, Koçi doli bashkë me mua dhe rrugës po bisedonim. Më tha: “S’kemi s’bëjmë, o Petro! Na janë futur kontrabandë në Parti ca vagabondë dhe të poshtër.” E pyeta se si ishte e mundur dhe cilët ishin ata. “Ja, p.sh., ai që pe ti, Enver Hoxha, një njeri i dyshimtë, më tepër nga ana politike, që nuk ka qenë më parë komunist. Se si arriti të jetë në krye të këtyre punëve, një zot e di!” Unë i thashë se nuk e njihja, por kisha dëgjuar për të që në Francë, dhe se duhej parë çështja e këtyre lloj njerëzve në parti.
Porosia e Sejfulla Malëshovës: Kjo është parti terroristësh, mos e hap gojën ndryshe do ta pësosh
Shkova ke zyrat ku ishte Sejfulla Malëshova. U gëzua shumë kur me pa; atë në Grenobel e kisha lënë në dhomën time, një dhomë që në dimër duhej të hapej dritarja për të hyrë ajri dimëror, se në atë qytet të ftohte alpin brenda bënte më ftohtë se përjashta. Sejfullai më mori për krahu dhe shëtitëm deri tek ura poshtë qytetit. I fola shumë i tronditur për ato që më tregoi Koçi për Enverin. Ai më pa në sy dhe me tha: -“Dëgjomë mirë! Ti ke milituar në partinë spanjolle, në partinë franceze, në partinë italiane… Kjo parti këtu nuk është si ato. Kjo është një parti e krijuar nga dy serbë dhe është parti terroristësh. Ndaj më dëgjo mirë: nuk duhet të hapësh gojën të paktën një vit për ato që sheh dhe dëgjon. Përndryshe do ta pësosh…”
Takimi me Mehmet Shehun: Luftëtari i Spanjës njihej si çlirimtari i Tiranës, Enveri ishte anonim
Më 17 Nëntor krisën bataretë: Erdhi lajmi se Mehmet Shehu me Brigadën e Parë dhe disa të tjera kishin çliruar Tiranën. Gëzim i paparë. Entuziazëm i papërmbajtur. Tirana u çlirua. Shqipëria u çlirua.
Pyetje: – Po ti nuk merrje vesh gjë për prapaskenat që luheshin?
Përgjigje: – Mua më shpëtoi Sejfullai, se Koçi ende vazhdonte avazin kundër Enverit. Më thoshte se shumë herë e këshillonte Miladini që të mos ngriheshin probleme të tilla, se ende nuk kishte ardhur koha e përshtatshme. U nisëm për në Tiranë.
Pyetje: – Si u nisët?
Përgjigje: – Grupe- grupe. Gjersa arritëm në Tiranë dhe u vendosem në Hotel “Dajti”. Hanim e flinim në Hotel “Dajti”. Unë isha në një dhomë me Petro Kitën. Kërkova Mehmetin dhe e gjeta në shtab, po e rruante një ushtar. U përqafuam të përmalluar dhe më tha spanjisht: “La Republica a trionfalo. Viva la Republica Demokratica Albanes!” të nesërmen, më 28 Nëntor 1944, do të parakalonin fitimtarët. U ngrit një tribunë para hotel “Dajtit”. Në tribunë hipa edhe unë, në këndin e majtë, nga do të vinin për të parakaluar fitimtarët. Më tërhoqi vëmendjen një zë diku poshtë tribunës. Hodha sytë dhe ç’të shihja?! Një bashkëfshatari im bënte roje me armë në dorë, në këndin e tribunës. Ishte veshur partizan dhe tunde pushkën në shenjë fitoreje. Po kush ishte ky? Një kryekusar. E lashë në burgun e Tiranës në marsin e vitit 1942, kur më nisën për në Itali. Në burg ishte shumë i sëmurë dhe u kujdesa për të sa munda aty, bashkë me kolektivin e shokëve. U habita: “Paska qenë partizan dhe i bëka roje udhëheqjes së qeverisë nën tribunë!”- Filloi parakalimi madhështor, gjithë Tirana ishte shkulur për të parë se kush ishte Enver Hoxha, kryetari i Qeverisë, se asnjëherë nuk ja kishin dëgjuar emrin. Në atë kohë si luftëtar i dëgjuar për çlirimin e atdheut njihej Mehmet Shehu. “Po nga doli ky Enver Hoxha, cili është? – pyesnin turmat e dehura nga gëzimi që më së fundi u çliruan nga okupatorët dhe tradhtarët. Ishte një parakalim që të ngulitet në kujtesë sa të jetë jeta: parakalonin vajzat dhe djemtë partizanë me flamurin tonë në krye, të grisur, të zbathur, të parruar, por me kokën lart e armët në sup. Fitorja u shkëlqente në ballë. Njerëzit brohoritnin nga gëzimi dhe nuk mbanin dot lotët nga mallëngjimi…