Varianti i ri “Omicron” i COVID-19 po përhapet me shpejtësi në Greqi. Zyrtarët bëjnë thirrje për zbatimin e masave dhe vaksinim ndërsa për festa pritet që të ketë kufizime. Mediat greke kanë publikuar dëshminë e një gruaje 43-vjeçe, e cila nuk ishte vaksinuar dhe përfundoi në gjendje të rëndë në spital.
Iliana Mousoudaki rrëfen sesi shëndeti i saj filloi duke u përkeqësuar me shpejtësi.
“Kjo gjë brenda meje po më hante, duke ecur përpara në mënyrë të pakontrolluar, pa e përcaktuar atë”, tha ajo.
Mousoudaki u shtrua në spital për 25 ditë, 11 prej tyre në Njësinë e Kujdesit Intensiv, para se të dilte nga spitali më 13 dhjetor.
“Gjatë gjithë kësaj kohe në spital kam takuar vetëm katër pacientë që ishin vaksinuar. Mes tyre është edhe një grua 92-vjeçare, e cila pas pesë ditësh ka dalë në këmbë.
“Isha e shokuar. U ndjeva aq keq për gjithë këtë kohë që kalova duke menduar se isha arrogante, e patrembur, madje edhe më e zgjuar sa “nuk rashë në grackën e vaksinimit”. U pendova shumë për këtë”, u shpreh ajo.
“Kur u shfaq lajmi për koronavirusin, e shmanga, sikur nuk më interesonte, sikur nuk më shqetësonte, sikur të isha e pavdekshme. Unë kisha një logjikë që e gjithë kjo është larg meje, se nuk është plotësisht e vërtetë, virusi është dobësuar dhe nuk do të pësojmë asgjë”, shtoi ajo.