E fejuara e Lapidar Lladrovcit, djalit të kryetarit të komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, është në rrugë për t’u punësuar në Ministrinë e Drejtësisë.
KALLXO.com ka pranuar një raportim në të cilin shihet se Arlinda Alshiqi është në listë të ngushtë për t’u punësuar si zyrtare ligjore në këtë ministri.
Konkursi ishte shpallur me 5 janar 2018, ndërsa rezultatet kanë dalë më 20 shkurt 2018. Sipas listës së publikuar nga Ministria e Drejtësisë, Arlinda Alshiqi është e treta në listë me 72% të pikëve.
Ministria e Drejtësisë për momentin udhëhiqet nga Abelard Tahiri që vjen nga PDK-ja, nga ku vjen edhe vet Lladrovci.
Ministri Tahiri i ka thënë KALLXO.com se nuk është i njoftuar për punësimin e Alshiqit pasi, sipas tij, ai nuk di kush janë emrat e kandidatëve.
“E di që ka qenë një proces rekrutimi për 3 zyrtarë në Ministri, tash jemi në fazën e ankesave. E di që ka edhe ankesa dhe jemi duke pritur çka po kthen këshilli mirëpo sinqerisht t’ju them nuk e di kush janë punësuar e as nuk ua di emrat”, tha Tahiri për KALLXO.com.
KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe me Ramiz Lladrovcin, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Djali i tij, Lapidar Lladrovci, ka sqaruar për KALLXO.com atë që, sipas tij, është proces i rregullt rekrutimi.
“E fejuara ime është në procedura të pranimit në punë në kuadër të një konkursi në MD, dhe pas intervistimit nga ana e komisionit intervistues është shpallur fituese” ka thënë Lladrovci.
Ai ka shtuar se e fejuara e tij është nxënëse e shkëlqyeshme dhe Studente e vlerësuar me notat 10.
“Ju kujtoj se me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ajo u shpall Studentja më e mirë në kuadër te Fakultetit Juridik dhe mori çmimin nga Rektorati i UP-së”, ka thënë Lladrovci duke shtuar se e fejuara e tij ishte bursiste e UP.
Ai ka shtuar se është krenar me të arriturat e të fejuarës së tij dhe në rast se merren për bazë të gjitha rrethanat publiku dhe mediat do të binden që komisioni intervistues ka përzgjedhur kandidatin më të mirë të mundshëm në atë konkurs.