Mbi 1 mijë e 300 veteranë të luftës janë larguar nga lista e përfituesve të pensionit të veteranit gjatë vitit 2021. Largimi nga kjo listë ka ardhur si rezultat i punësimit të tyre. Ndonëse janë ngritur një sërë aktakuzash për manipulime me statusin e veteranit sivjet, asnjë nuk është larguar nga lista për shkak të vendimeve gjyqësore.
1 mijë e 320 veteranë të luftës janë hequr nga lista e përfituesve të pensionit gjatë vitit 2021.
Largimi nga skema e pensioneve të veteranëve ka ardhur si rezultat i punësimit të tyre.
Ligji për Veteranët e Luftës, neni 16 për “Pensionin personal të veteranit luftëtar”, mes tjerash thotë se: “Veteranët e UÇK-së të cilët janë të punësuar në sektorin publik dhe privat nuk kanë të drejtë të përfitimit të pensionit”.
Për përfitime të paligjshme të këtij pensioni ka pasur dyshime të shumta, por asnjë prej tyre nuk është larguar për këtë shkak, meqë pastrimi i këtyre listave sivjet nuk ka qenë prioritet i gjyqësorit.
Ndonëse ka pasur një varg aktakuzash, nga Ministria e Financave dhe Punës thonë se gjatë këtij viti nuk kanë pranuar asnjë vendim të vetëm gjyqësor nëpërmjet të cilit këtyre personave do t’u mohohej e drejta e përfitimit të pensionit.
“Në dhjetor 2021 ka 1 mijë e 320 përfitues më pak se në dhjetor 2020. Ky largim ka ardhur si rezultat i punësimit (krijimit të të hyrave materiale të shfrytëzuesit), kurse në Departamentin për Kategoritë e Luftës, nga organet e drejtësisë nuk ka ardhur as një vendim për suspendim-ndërprerje të pensionit”, thuhet në përgjigjen e MFP-së.
Vetëm në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës për mashtrime me listat e veteranëve janë ngritur 51 aktakuza.
“Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë janë pranuar gjithsej gjashtëdhjetë (60) raste. Deri tash janë ngritur pesëdhjetenjë (51) aktakuza për shkak të veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”. Ndërkaq, lëndët e tjera janë në procedurë”, ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Për dyshimet e tilla, 3 personave aktakuza u ka ngritur edhe Prokuroria e Gjakovës.
“Në lidhje me manipulimet me listat e veteranëve të luftës, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur tri (3) aktakuza, kundër tre (3) personave për veprat penale “ Legalizim i përmbajtjes së rreme”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Deklarimi i rremë”. Prokuroria Themelore në Gjakovë është duke bërë hetime edhe për persona të tjerë, të cilët dyshohen të kenë kryer manipulime të tilla me listat e veteranëve të luftës”, ka njoftuar kjo Prokurori.
Ndërsa, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur dy aktakuza dhe me këto raste të manipulimeve e ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe ka njoftuar se rastet janë në procedurë hetimore.
Edhe pse ka pasur një varg aktakuzash, Anton Nrecaj thotë se gjyqësori është treguar joefikas në pastrimin e këtyre listave nga veteranët e rrejshëm. Sipas tij, hezitimit për t’u marrë me çështje të tilla i kanë paraprirë zhvillimet me gjykimin e krerëve të luftës në Hagë.
“Janë dy arsye, e para si gjithmonë është neglizhenca e gjykatave jo vetëm me këto raste, por edhe me rastet e tjera gjë që natyrisht kjo nuk justifikohet. Arsyeja tjetër është që gjyqtarët apo gjykatat kanë hezituar dhe po hezitojnë me i trajtu këto raste sidomos të përfituesve të veteranëve të luftës në mënyrë të paligjshme. Realisht gjyqtarët nuk i kanë iniciuar këto procedura për shkak se ky vit ka qenë vit i gjykimeve dhe seancave të krerëve të UCK-së”, ka thënë Nrecaj.
Aktualisht pensionin e veteranit të luftës e shfrytëzojnë 36 mijë e 896 persona.