Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë folur për krizën energjetike në vend.
Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se termocentralet që Kosova ka e kanë të pamundur të mbulojnë të gjithë kërkesën për furnizim me energji elektrike, andaj edhe jemi të varur nga importi i energjisë.
Por, ai ka thënë se çmimi i importit të energjisë elektrike është ngritur, andaj kjo do të ndikojë edhe në ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët.
“Importi i energjisë elektrike po bëhet me çmime më të mëdha se normalja, pra po paguhet me çmim 7-fish më të shtrenjtë se më parë, andaj kjo pritet të ndikojë edhe në çmimin e energjisë së shfrytëzuar nga qytetarët. Duke ndjekur shembullin e vendeve të tjera, Qeveria do të ndërmarrë hapat e duhur për të ndihmuar krizën që mund të kaplojë vendin. Unë mund të marr masa të ndryshme për të kaluar krizën energjetike, edhe ju mund të ndihmoni në këtë aspekt, duke kursyer sa më shumë energji elektrike. Hapi i parë do të ndërmirret në fillim të vitit 2022”, ka thënë Kurti.
Tutje, ai ka kritikuar edhe një herë Qeveritë e mëparshme për situatën në të cilën gjendet Kosova.
“Shtetin e kemi gjetur për toke, por do ta ngrisim në këmbë. Këtë situatë e kemi të trashëguar, andaj ata që na kan sjellur në këtë pikë le të na kursejnë nga leksionet, e le të skuqen me situatën ku na kanë sjellur”, ka thënë Kurti.
Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti është kritikuar nga opozita për refuzimin e projektit të gaz-sjellësit amerikan, për të cilin kanë thënë se do të zgjidhte krizën energjetike.