Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas ndërprerjes së ngrohjes nga “Termokosi” në Prishtinë.
Rama ka thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet në lidhje me ndërprerjen e ngrohjes për qytetarët e kryeqytetit, të cilët kanë qasje me ngrohjen termike të “Termokosit”.
“Me shqetësim kam marrë informatën për ndërprerjen e ngrohjes për qytetarët e Prishtinës, të cilët kanë qasje në ngrohjen termike të ‘Termokosit’. Jam në komunikim të vazhdueshëm me institucionet për situatën e krijuar. Ndërprerja e ngrohjes qendrore në Prishtinë ka ardhur si pasojë e avarive në njësinë B1 të KEK-ut. Kam marrë siguri se kjo çështje do të rregullohet deri nesër”, ka shkruar ai.
Rama ka siguruar qytetarët e Prishtinës se Komuna po e trajton këtë çështje me seriozitet.
“Duke ju kërkuar mirëkuptim, ju siguroj se Komuna e Prishtinës po e trajton këtë çështje me seriozitet dhe do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm që varen nga ne”, tha kreu i Prishtinës.