Paraditen e sotme është raportuar për problemet që po ndodhin në Termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës. Siç është raportuar, një pjesë e vendit pritet të mbetet pa energji elektrike.
Pas rënies së bllokut B2, burime të Gazetës Online Reporteri.net kanë bërë të ditur se pritet që të bie edhe blloku B1 i “Kosovës B”.
“Për shkak të rrjedhjes së gypave të kaldajës duhet të ndalet edhe blloku B1. Kur ka këso lloj probleme duhet të ndalet dhunshëm. Nuk ke qare pa e ndal”, tha ky burim për Reporteri.net
Ai shtoi se për shkak të këtij defekti, blloku B1 duhet të ndalet dhe të jetë jashtë punës për 24 orë minimumi.
“Duhet të ndalet edhe blloku B1. Mundet 24 orë me qenë jashtë punës. Nëse është defekti i madh ndodh duhet dy/tre ditë me lan. Varësisht çfarë defekti, por nën 24 orë ska shancë. 24 orë është më së paku”, theksoi ky burim.
Ky burim shtoi për Reporteri.net se nëse blloku B1 ndalet, pritet që për 24 orë të kthehet në punë.
Përveç krizës energjetike në nivel të vendit, pas rënies së dy blloqeve të “Kosovës B” Prishtina rrezikon të mbetet pa ngrohje qendrore. Kryeqyteti i Kosovës, të vetmin burim të ngrohjes qendrore e ka nga avulli qe prodhohet nga këto dy blloqe të “Kosovës B”.
Aktualisht, prodhimi vendor i energjisë elektrike nga KEK-u është rreth 360 megavat orë energji elektrike. Derisa konsumi aktualisht ka arritur në 1200 megavat orë energji elektrike.
Kjo krizë energjetike e rendon edhe më shumë barrën buxhetore, duke pasur parasysh se çmimi aktual në treg kanë shënuar rritjen më të lartë qe ka ndodhur ndonjëherë. Aktualisht në bursa çmimi për megavat orë energji elektrike sillet rreth 300 euro.
Gjendjen alarmante e ka paralajmëruar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Rizvanolli ka thënë se për shkak të kërkesave të rritura për energji dhe çmimeve të larta të importit Kosova është gjendje të jashtëzakonshme.
“Ne kemi pasur një situatë relativisht të mitë, duke qenë se deri nga fillimi i nëntorit jemi mbështetur kryesisht në kapacitetet e tona gjeneruese të KEK-ut dhe këto kanë mjaftuar për ta mbuluar kërkesën vendore. Siç është pritur me ftohjen e motit dhe me rritjen e kërkesës për energji elektrike është rritur edhe kërkesa për import. Çmimi i importit të energjisë elektrike është tejet i lartë, është gjendje e jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se në tri ditët e ardhshme, situata pritet të jetë më e rënduar.
“Sa i përket situatës aktuale në vend, KEK zakonisht operon me dy blloqe, ka bërë përpjekje gjatë javëve të fundit, që të fus në operim edhe njësinë e tretë të Kosovës A. Tentimi i parë për të mbajtur të tri blloqet njëkohësit, nuk ka qenë i suksesshëm, gjë që ka vështirësuar situatën për disa ditë. Para dy ditësh blloku i dytë i Kosovës A është vënë në funksion. Sot është dashur që një bllok i Kosovës B detyrimisht të ndalohet për 36 orë për disa riparime. Tri ditët e ardhshme pritet që situata të jetë edhe më e rënduar. Blloku A4 ka dalë prej funksionit, para 10 ditësh kur është tentuar të vihen në funksion tri blloqe përnjëherë. A5 e ka kaluar remontin, dhe futja në funksion e tij para 10 ditësh, ka qenë shkaktar i atij problemit teknik, si pasojë e të cilit kanë ra prej sistemi tri blloqet”, u shpreh ajo.