Më shumë se dy dekada kanë kaluar që nga koha kur lufta e copëtoi Kosovën, por trauma e shkaktuar nga luftimet mbetet ende për Bajram Çerkinin dhe familjarët e tjerë të atyre që ende cilësohen të zhdukur.
Përktheu: Nasuf Abdyli, Gazeta Express
Rezallë, Kosovë (AFP) – “Lufta nuk ka përfunduar ende në familjen time”, thotë 82-vjeçari Çerkini, shqiptar djali i të cilit, Reshati, është në mesin e të zhdukurve. “Gruaja ime ende i dëgjon hapat dhe zërin e tij natën”, shton ai.
Lufta e fundit të të nëntëdhjetave mes forcave serbe dhe guerilëve shqiptarë la të vrarë rreth 13.000 njerëz dhe përfundoi vetëm pas ndërhyrjes së NATO-s.
Mijëra të tjerë u zhdukën – shumë prej të cilëve u rrëmbyen gjatë periudhave të pastrimit etnik dhe më vonë u vranë. Trupat e tyre u hodhën në varreza masive, puse uji ose u dogjën.
Në vitet e pasluftës, ekspertët e forenzikës nga e mbarë bota erdhën në Kosovë në përpjekje për t’i identifikuar mbetjet dhe për t’ua kthyer familjeve si dhe për t’i dokumentuar krimet e mundshme të luftës.
Në disa raste, vetëm pjesë të vogla të eshtrave u gjetën dhe iu dorëzuan familjeve. Por jo të gjithë u gjetën. Sipas autoriteteve kosovare, 1.625 persona janë zyrtarisht ende të zhdukur.
Fati i të zhdukurve është një nga çështjet e nxehta që po i pengojnë bisedimet me ndërprerje mes Kosovës e Serbisë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008 – që kurrë nuk është njohur nga Beogradi.
Në kërkim të varrezave masive
Zyrtarët e Kosovës vazhdojnë që ta kritikojnë Serbinë për zhagitje të procesit, shpesh duke i akuzuar zyrtarët e saj për refuzim të zbulimit të vendeve të varrezave.
Gjatë momenteve të fundit të luftës, kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova në kohën e bombardimeve të NATO-s, varrezat masive në mbarë Kosovën u hapën me ngut. Mbetjet u dërguan në Serbi për t’i fshehur dëshmitë e krimeve.
Që nga përfundimi i luftës, rreth 1.000 trupa të shqiptarëve të Kosovës janë nxjerrë nga vende të ndryshme në mbarë Serbinë – përfshirë qindra nga një varrezë masive në një qendër të policisë special afër Beogradit.
“Në përpjekje për të fshehur një krim, ata kryen një tjetër”, thotë Andin Hoti, kryetar i komisionit të Kosovës për personat e zhdukur – babai i të cilit nuk dihet se ku ndodhet.
Në Kosovë, ku OJQ-ja e Bajram Çerkinit, “Zëri i Prindërve”, është njëra nga disa që i përfaqësojnë familjet e të zhdukurve, çështja shkon përtej sferës politike.
Në kryeqytetin Prishtinë, një ekspozitë arti, e quajtur “Një varr është më i mirë se mosdija”, synon ta shpërfaqë dhimbjen e të pangushëlluarve, me orë digjitale me ngjyrë të kuqe që i shfaqin orët e minutat që kanë kaluar që nga koha kur familjet i panë për herë të fundit të dashurit e tyre.
“Ndoshta nesër”
Por edhe kur mbetjet përfundimisht të nxirren, shpesh nxitet një traumë e re.
Në tetor, Vesel Rukolli u informua se mbetjet e babait dhe xhaxhait të tij janë nxjerrë nga një varr disa muaj më parë në Kizevak, në jug të Serbisë.
Gjetjet erdhën pesë vjet pasi disa nga mbetjet e xhaxhait të tij ishin gjetur në një fshat tjetër në Serbi.
Xhaxhai i tij ishte vrarë në prill të vitit 1999, pasi forcat e Serbisë masakruan rreth 40 persona në fshatin Rezallë të Kosovës.
Përderisa forcat serbe ikën nga vendi i ngjarjes, ato përdorën një buldozer për t’i larguar trupat, cuke i gjymtuar shumë prej viktimave.
Përderisa shumica e të vrarëve dhe të zhdukurve nga lufta janë shqiptarë, shumë serbë gjithashtu janë ende të zhdukur – fakt që Beogradi e ngre shpesh në luftën e vet të fjalëve me zyrtarët e Kosovës.
Zyrtarët në Prishtinë këmbëngulin se janë duke e marrë çështjet seriozisht, me pesë vende të zbuluara në Kosovë, ku po kërkohen viktima serbe të luftës.
Për më shumë se 22 vjet, Svetlana Marinkoviq ka qenë në pritje të lajmit për fatin e bashkëshortit të saj, pasi ai ishte zhdukur vetëm disa ditë pas përfundimit të konfliktit.
“Ndoshta nesër do ta marrim vesh”, i tha Marinkoviq agjencisë AFP nga shtëpia e saj në Graqanicë.
“Shpresa vdes e fundit.”