Komisioni i Venecias i ka nxjerrë rekomandimet e veta për reformat e synuara nga Qeveria Kurti për sistemin prokurorial në Kosovë.
Pikat kryesore në të cilat është fokusuar ky Komision kanë qenë përbërja e re e Këshillit Prokurorial të Kosovës, procedura e përzgjedhjes, shkarkimi i tyre dhe zëvendësimi i anëtarëve aktualë e përjashtimi i Kryeprokurorit të shtetit si anëtar ex-officio.
Komisioni i Venecias ka thënë se propozimi i reduktimit të numrit nga 13 në 7, në kuadër të Këshillit Prokurorial, s’është në kundërshtim me standardet evropiane.
Megjithatë, sipas këtij Komisioni, reforma s’duhet të çojë në ndikime politike, pasi që reforma parasheh që përzgjedhja e shumicës së anëtarëve të KPK-së të bëhet me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Kjo pikë është propozuar të rikonsiderohet. Është rekomanduar të ketë zgjedhje nga institucione të jashtme, ose shoqëria civile.
Rekomandim tjetër ka qenë që kryeprokurori i shtetit të mbetet si anëtar ex-officio i KPK-së.
Procedura e zgjedhjeve në Komisionin Parlamentar është parë si shumë komplekse dhe e paqartë. Sipas Komisionit të Venecias, propozimi i Qeverisë hap dyert për manipulime. Ky komision ka rekomanduar të ketë rishikim të kësaj procedure e të konsiderohen modelet alternative për përbërje sa më pluraliste të KPK-së.
Ndërsa sa i përket përfundimit të mandatit të anëtarëve aktualë të KPK-së, Komisioni i Venecias ka thënë se mund të jetë i rrezikshëm për pavarësinë e sistemit prokurorial dhe duhet të rishikohet.
“Përbërja e re e KPK-së mund të nisë funksionimin vetëm pasi të zgjedhjen të gjithë anëtarët”, sipas Komisionit që ka thënë se zëvendësimi i anëtarëve aktualë mund të bëhet vetëm nëse arsyetohet se do të ketë përmirësim të madh në sistemin aktual, duke specifikuar depolitizimin. “Nëse kjo s’është në pyetje, anëtarët aktualë – ose disa prej tyre – duhet të vazhdojnë me mandatin e tyre”.