Kryeministri britanik Boris Johnson konfirmoi sot se pacienti i parë në këtë vend ka humbur jetën nga varianti Omicron. Britania po përballet me një përhapje tepër të shpejtë të variantit Omicron të koronavirusit, me infektimet që dyfishohen çdo dy-tre ditë.
Qeveria britanike do t’i mbajë hapur shtatë ditë në javë qendrat e vaksinimit dhe sekretari i shëndetësisë i bëri thirrje popullsisë të vaksinohen në mënyrë që vendi ta fitojë garën mes virusit dhe vaksinimeve.
Të paktën një person ka vdekur në Britani pasi u infektua me variantin Omicron të koronavirusit. Kryeministri Boris Johnson tha të hënën se tashmë varianti Omicron është përgjegjës për 40% të infektimeve në kryeqytetin Londër.
Sekretari britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid, thotë se varianti Omicron po përhapet me një ritëm shumë të shpejtë në Britani, duke krijuar një garë mes vaksinimit dhe virusit.
“Ajo çfarë dimë për Omikronin është se përhapet me një shpejtësi fenomenale. Diçka që nuk e kemi parë ndonjëherë më parë. Infektimet po dyfishohen çdo dy deri në tre ditë. Kjo do të thotë që po përballemi me një valë të madhe infektimesh”, tha zoti Javid.
Duke folur për kanalin Sky News, zoti Javid njoftoi se qeveria britanike ka angazhuar planifikues nga forcat e ushtrisë dhe do t’i mbajë të hapura qendrat e vaksinimit shtatë ditë në javë gjatë periudhës së festave.
“Do t’ia dalim mbanë vetëm nëse do të ngremë kapacitetet e duhura me njësi të ndryshme, si njësitë e lëvizshme. Po u kërkojmë mjekëve të përgjithshëm të bëjnë më shumë, madje edhe farmacistëve”, tha ai.
Sekretari britanik i shëndetësisë shpreson që vendi ta kalojë rekordin e deritanishëm prej 770 mijë vaksinimesh në ditë dhe i bëri thirrje publikut të regjistrohet për t’u vaksinuar.
“Po reagojmë me gjithçka të mundshme. U kërkoj shikuesve të bëjnë pjesën e tyre. Është tepër e rëndësishme. Duhet ta fitojmë garën ndaj rritjes së këtij virusi. Nuk kemi parë një rritje të tillë më parë, prandaj ju lutem mbroni veten, njerëzit tuaj të dashur dhe komunitetin tuaj”, tha zoti Javid.
Mbi 80% e popullsisë mbi 12 vjeç në Britani kanë marrë dozën e dytë të vaksinës dhe 40% kanë marrë edhe dozën e tretë përforcuese.