Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci prej gati tri orësh po vazhdon të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në kuadër të hetimeve për rastin e dyshuar të fabrikës së mbetjeve shtazore.
Intervistimi po zhvillohet pas bastisjeve që u kryen sot në katër lokacione të ndryshme me urdhër të prokurorisë.
Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar prokurori i rastit Admir Shala.
“Po është duke vazhduar ende intervistimi. I njëjëti është duke u intervistuar në cilësinë e të pandehurit”, ka thënë Shala.
Prokurori Shala sot para gazetarëve ka treguar se përveç Ministrisë së Bujqësisë dhe AUV-it, janë kryer kontrolle edhe në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, si dhe te lokacioni i kompanisë përfitues të kontratës.
“Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me dyshimet e dhënies me qira të kësaj fabrike. Jemi në fazën e hetimit, jemi duke zhvilluar bastisjen dhe kontrollet në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Po ashtu me autorizimin tonë, policia me ne është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të zbardhjes së rastit konkret. Bastisjet janë duke u zhvilluar në katër lokacione: Ministri të Bujqësisë, Agjencia për Zhvillim Bujqësor, Agjencia e Veterinarisë dhe lokacioni i veterinarisë kompanisë përfitues”, tha Shala.
Kurse nga policia kanë thënë se bastisjet janë kryer mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.