Sot bëhen plot 34 vite nga mbajtja e Kuvendit të Parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që u zhvillua më 5 maj 1991 në ambientet e Medresesë “Alaudin” në Prishtinë.
Ky kuvend, i konsideruar si një moment historik i jashtëzakonshëm, u cilësua nga shumë pjesëmarrës dhe analistë si një ngjarje me përmasa të Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit të 10 qershorit 1878, për nga legjitimiteti dhe rëndësia që kishte në rrethanat e kohës për popullin shqiptar, , transmeton Gazeta Papirus.
Në këtë takim historik morën pjesë delegatë nga e gjithë Kosova, si dhe përfaqësues të subjekteve politike shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi. Për shkak të kufizimeve politike dhe vështirësive të kalimit të kufirit, munguan përfaqësuesit nga Shqipëria, por një telegram urimi nga Lideri i Demokracisë në Shqipëri, Dr. Sali Berisha, mbërriti në mbështetje të kësaj ngjarjeje, shkruan Fakte me Adnan Merovcin.
Një nga momentet kulmore të Kuvendit ishte pjesëmarrja e Bacës Adem Demaçi – simbol i rezistencës dhe luftës për liri – i cili mbajti një fjalim të fuqishëm përshëndetës, urues dhe kritik.
Në aspektin organizativ, Kuvendi u menaxhua me sukses nga një ekip i përkushtuar që udhëhoqi të gjitha aspektet tekniko-logjistike të tij, në një kohë kur organizimi i tillë paraqiste sfida të jashtëzakonshme. Megjithatë, gjithçka u zhvillua në mënyrë të qetë, pa asnjë incident – një dëshmi e qartë e përkushtimit dhe seriozitetit të organizatorëve.
Në një fotografi të rrallë të ruajtur nga ajo ditë, shihet arritja e Kryetarit Ibrahim Rugova në Kuvend me veturën e Hajrush Abdullahut, i shoqëruar nga Jakup Shala.
