Ministrja e Jashtme në dorëheqje, Donika Gërvalla, ka njoftuar për darkën e mbrëmshme me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, e cila gjatë vizitës në Kosovë solli edhe lajmin për vendimin e BE-së për heqjen graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Këtë vendim të BE-së, Gërvalla s’e përmendi, por përmendi disa çështje të tjera që ajo tha se ia theksuan kryediplomates europiane.
“Gjatë darkës së punës biseduam me znj. Kaja Kallas për marrëdhëniet Kosovë–BE, reformat evropiane dhe Planin e Rritjes. Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm në reformat e brendshme dhe në linjëzimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Zbatimi i plotë i Marrëveshjes bazike dhe aneksit është hap i rëndësishëm për përparimin në dialog dhe stabilitetin rajonal. Por, Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, dhe Millan Radojçiqi duhet t’i dorëzohet autoriteteve të Kosovës”.
Gërvalla tha se në këtë takim ka folur edhe për “shkeljet sistematike të të drejtave të shqiptarëve në Luginë mbeten evidente dhe shqetësim serioz për Republikën e Kosovës dhe duhen adresuar urgjentisht nga BE-ja”.