Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk ka pranuar të jap detaje për takimin me kryetarin e VV-së, Albin Kurti.
Ai ka thënë se ulja në tavolinë, nuk do të thotë që pajtohesh me atë që bisedon. Sipas tij, përgjegjësia kryesore është e tri partive të para.
“Këto tema janë shumë serioze, që me dy minuta nuk përfundojnë e as të sqarohen. Unë gjatë jam në politikë, kam dëshirë të jem i kujdesshëm. Besoj ditëve në vijim do të jem në intervistë më të gjatë, dhe do të jap mendimet e vizionin tonë. Ajo që mund të them, e po ndodh, tash e tre muaj ju e dini, jemi linçuar në publik, kemi bërë thirrje që për tema nacionale, forcat politike duhet të bisedojnë. Edhe kur nuk pajtohen. Ulja në tavolinë nuk do të thotë që pajtohesh. Nuk ka asgjë u pajtuam nuk u pajtuam, thashë që në intervistë do ta shpalosi vizionin e Nismës. Kosova ka nevojë urgjente për themelimin e institucioneve, dhe kjo bëhet përmes bashkëbisedimeve. Edhe nesër me shku në zgjedhje, pasnesër duhet me u ul me bisedu. Kosova është shtet me shumë telashe. Nuk e kemi luksin me u sjell si të tjerët në rajon. Të tri partitë kanë përgjegjësi të madhe, për të dhënë kontribut që Kosova të ketë institucione”, tha Limaj.
Limaj tha se së shpejti do të krijohet shumica parlamentare.
“Sigurojë se së shpejti do të ketë shumicë. Kur bisedoni, ka një kod të komunikimit, nuk mundesh me thane po ose jo. Duhet më gjerësisht, kërkoj mirëkuptim. Do ta keni krejt ku jemi. Ajo që mund të sigurojë është se Nisma do të jep kontribut për të tejkaluar krizën”, tha ai.
Limaj tha më tutje se duhen veprime e vendime që kërkojnë kompromis.
“Kjo do të thotë, që po ndodh, ne jemi në rrugën e drejtë. Po tregon që po jep shpresë, në Kosovë po bashkohen zërat racionalë, në kohë kur dominon papërgjegjësia e arroganca politike. Kur ka nevojë për zëra racionalë, kur kuptohet politika që është bashkëbisedim. Jo rrallë në këta muajt e fundit kemi parë që është keqkuptuar të qenurit në politikë. Jemi parti serioze, e pjekur politikisht, dime të ballafaqohemi me sfidat. Shteti i Kosovës është mbi ne, jemi të zgjedhurit, jo për të bërë gara, por vjen një moment që duhet të fitojë Kosova. Politikanë që dine të bëjnë kompromise, dine të bëjnë zgjidhje. Po bashkohemi, burra e gra, që ky za e kjo platformë të fuqizohet. Po përgatitemi për zgjedhje lokale, por edhe për të marrë përgjegjësi institucionale, për aq kohë sa i takon kësaj partie”, deklaroi Fatmir Limaj.