Në shenjë pakënaqësie rreth moskonstituimit të Kuvendit dhe ndikimit të kësaj bllokade në mbrojtjen e fëmijëve, Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF do të organizojë aktivitetin me moton: “Karriget tuaja nuk vlejnë më shumë se jeta dhe mirëqenia e fëmijëve”.
Aktiviteti në fjalë mbahet të premten në sheshin “Ibrahim Rugova”, konkretisht para Kuvendit të Kosovës duke filluar nga ora 10:45 deri në 11:00.
“Qëllimi i këtij aktiviteti është të nxisë reflektim dhe përgjegjësi institucionale të deputetëve ndaj realitetit të vështirë me të cilin përballen shumë fëmijë në Kosovë dhe nevojave të fëmijëve. Si pasojë e kësaj bllokade, shumë politika që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe jetën e fëmijëve vazhdojnë të mbesin të pa miratuara”.
“KOMF kërkon që deputetët të reflektojnë mbi peshën e përgjegjësisë së tyre. KOMF konsideron që deputetët duhet të marrin përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe ligjore për të vepruar urgjentisht për garantimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Çdo vendim që dështojnë apo vonojnë ta marrin për fëmijët, është një barrë që e paguajnë fëmijët me shëndetin, mirëqenien dhe shpesh jetën e tyre”, thuhet në njoftimin e këtij koalicioni për aktivitetin e nesërm.
Ky organizim bëhet pikërisht në ditën kur për të 20-ën herë me radh, deputetët e zgjedhur do të provojnë ta konstituojnë parlamentin,/ GAZETA PAPIRUS/