Për këtë çështje ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke deklaruar se shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë ndaj vendimit në fjalë.
Ndër tjera, OVL UÇK thekson se ky vendim është edhe një dëshmi më shumë e padrejtësisë që po u bëhet drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Mënyra se si po trajtohen nga kjo gjykatë bashkëluftëtarët tanë nuk është vetëm e padrejtë, por është gjithashtu një hap prapa në ndihmën që Kosova po kërkon drejt njohjes ndërkombëtare të luftës së saj për liri”, thuhet në njoftim.
Poashtu, OVL UÇK i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare “që të shqyrtojë këtë çështje me objektivitet dhe drejtësi, duke i dhënë fund diskriminimit dhe trajtimit të padrejtë ndaj liderëve të UÇK-së”.
“Ne, si OVL UÇK, do të vazhdojmë të mbrojmë luftën tonë të lavdishme për liri, dhe do të qëndrojmë gjithmonë pranë atyre që dhanë gjithçka për të siguruar një të ardhme më të mirë për popullin e Kosovës”.
Veseli, Selimi dhe Krasniqi kishin kërkuar garanci edhe nga Policia e Kosovës, drejtori i së cilës dorëzoi në Dhomat e Specializuara gjithë dokumentet e nevojshme për të dëshmuar aftësinë dhe trajnimet e policisë që t’i ruajnë treshen e UÇK-së gjatë lirimit të përkohshëm, mirëpo Prokuroria e Specializuar e cilësoi të paaftë PK-në ta zbatojë këtë masë.
Vendimi i gjyqtarëve Charles Smith, Christoph Bardhe, Guenaël Mettraux dhe Fergal Gaynor nuk është bërë ende publik, por Klan Kosova e ka parë të përmendet si i tillë në kërkesën e fundit të kryeprokurores Kimberly West për vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin.
“Paraburgimi mbetet proporcional. Në rishikimin e fundit të paraburgimit, Paneli gjeti se mbajtja e Veselit edhe për dy muaj të tjerë ishte e nevojshme dhe e arsyeshme në bazë të rrethanave specifike të rastit. Më 13 maj 2025, pas vlerësimit të kërkesës së fundit të Veselit për lirim të përkohshëm, Paneli konfirmoi se paraburgimi i tij mbetet i nevojshëm dhe i arsyeshëm.” – thuhet në kërkesën e West, njofton Klankosova.tv.
West e citon vendimin jo-publik edhe kur e arsyeton mbajtjen e Veselit në Qendrën e Paraburgimit në Sheveningen, ku bashkë me Thaçin, Krasniqin e Selimin po qëndrojnë prej 4 vjet e 6 muaj tashmë.
“Paneli ka ardhur në përfundim se vetëm përmes monitorimit të komunikimeve që aplikohet në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, komunikimet e Veselit mund të kufizohen në atë mënyrë që do ta ulin mjaftueshëm rrezikun e pengimit dhe kryerjen e krimeve tjera”
Gjykata Speciale nuk i pati besuar Policisë së Kosovës as në vitin 2021, kur Kadri Veseli kishte bërë kërkesë të njëjtë për lirim të përkohshëm.