Një ngjarje e rëndë është raportuar nga një qytetar ditën e sotme. Në lagjen Matiqan të Prishtinës, një foshnje e porsalindur është gjetur e braktisur në rrethana çnjerëzore, shkruan Periskopi.
Lidhur me rastin janë deklaruar nga Policia e Kosovës, të cilët kanë thënë se trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore
“Sot rreth orës 11:00, policia ka pranuar informatën lidhur me dyshimet për një foshnje të braktisur në afërsi të deponisë së mbeturinave në rrugën “Qëndresa” në Prishtinë. Të gjitha njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar se foshnja e porsalindur është pa shenja jete. Përderisa trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, me seriozitet është duke u trajtuar rastin dhe ka iniciuar një hetim mbi vdekjen. Ftojmë këdo që ka informacion lidhur me ngjarjen të kontaktojë direkt Policinë”, deklaruan nga Policia për Periskopin.