Tentativa e 17-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi sërish pa sukses. Edhe pse shpresa për një marrëveshje minimale nuk ishte fikur, seanca e së shtunës dështoi njëjtë si të mëparshmet: pa vota të mjaftueshme për të krijuar një komision për votim të fshehtë, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Një përpjekje e re nga VV-ja erdhi para nisjes së seancës, kur kryesuesi Avni Dehari iu drejtua përfaqësuesve të partive tjera me një propozim: që seancat për konstituim të mos thirren çdo 48 orë, por vetëm një herë në javë. Kjo ide hasi në refuzim të menjëhershëm nga PDK dhe LDK, që e panë këtë si përpjekje për të zvarritur edhe më tej krizën institucionale.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ishte i ashpër në reagim, duke akuzuar VV-në për mungesë serioziteti.
“E para, deputetët e partisë që doli e para në zgjedhje, nuk erdhën as me kohë. Erdhën 45 minuta me vonesë. Kur erdhën patën një kërkesë që në mënyrë të organizuar ta shkelim rregulloren. Kërkesa e tyre është në kundërshtim me rregulloren që thotë se të mblidhemi çdo dy ditë derisa të konstituohet Kuvendi…”
Ai tha se propozimi për t’u mbledhur një herë në javë është i papranueshëm dhe se është koha që VV të reflektojë.
“Do të ishte më e udhës që Vetëvendosje ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit e të propozojë dikë të pranueshëm e të procedohet me konstituim. Duket që për Kurtin është më e rëndësishme Albulena Haxhiu se qytetarët që kanë votuar më 9 shkurt.”
Nga LDK, deputetja Hykmete Bajrami u shpreh po ashtu kritike ndaj VV-së, duke e quajtur propozimin për seanca javore si dëshmi se partia në pushtet nuk ka vullnet për të zgjidhur ngërçin.
“E shohim si indikacion shtesë që VV-ja nuk është absolutisht e interesuar ta bëjë konstituimin e Kuvendit… Ata mungesën e institucioneve e kanë reduktuar në problem të mbledhjes çdo 48 orë.”
Ajo theksoi se VV mund të provojë emra të tjerë për kryetar Kuvendi, nëse vërtet dëshiron të arrihet konsensus.
“Mund të propozojnë edhe 47 kandidatë të tjerë për kryetar kuvendi për të parë se cili prej tyre i merr votat.”
Nga ana tjetër, deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, mohoi se propozimi për ndryshim të frekuencës së seancave përbën shkelje të Rregullores, duke e quajtur një përpjekje për dakordim.
“Seanca filloi me konsultim që të ketë shmangie të Rregullores, të takohemi më rrallë, pasi 48-orëshi nuk po jep rezultat… Kjo nuk ishte shkelje, sepse nuk u realizua. Ishte vetëm një propozim për dakordim mes të gjitha partive.”
Në të njëjtën linjë u deklarua edhe kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, i cili e justifikoi propozimin si një hap logjik në situatën aktuale, ku rezultatet nuk ndryshojnë nga seanca në seancë.
“Nuk ka kuptim që të vijnë çdo 48 orë në Kuvend kur rezultati po del i njëjtë… Unë e pashë të nevojshme që të konsultohem me ta, nëse janë të mendimit, ata shprehen mendimin që të konsultohen me grupet e tyre parlamentare dhe në seancën tjetër të sjellin një vendim.”
Nderkohë, Avni Dehari, ka folur rreth nismës së Lëvizjes Vetëvendosje për të ndryshuar dinamikën e mbledhjeve parlamentare.
Dehari ka bërë të ditur se ka zhvilluar konsultime me përfaqësuesit e subjekteve tjera politike për këtë ide, duke shtuar se pret përgjigje në seancën e radhës që pritet të mbahet më 19 maj.
“Ata po deklarohen para medieve sepse nuk ka kuptim që të vijnë çdo 48 orë, për shkak se rezultati po del i njëjtë dhe unë e pashë të nevojshme që të konsultohem me ta, nëse janë të mendimit ata shprehen mendimin që të konsultohen me grupet e tyre parlamentare dhe në seancën tjetër të sjellin një vendim. Rregullorja obligon që ti thërrasësh deri sa nuk ka një zgjidhje, natyrisht do të ishte më mirë që të kishte zgjidhje, por derisa nuk ka zgjidhje detyrohesh ti thërrasësh çdo 48 orë”, deklaroi Dehari.
Seanca e radhës është thirrur për më 19 maj, ku mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë përparim apo nëse bllokada politike do të thellohet edhe më shumë./GAZETA PAPIRUS/