Kryeparlamentari i Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka thënë se votimi i ministrit të Jashtëm të këtij shteti, për çështjen e Kosovës në Këshill të Evropës, përbën “sfidim direkt të marrëveshjes së koalicionit qeverisës”.
Në një shkrim në rrjete sociale, kryetari i partisë Demokracia e Re Serbe ka thënë se mbështetja e ministrit Ervin Ibrahimoviq për Kosovën është shkelje e parimeve të vendosura në koalicionin në Mal të Zi.
Një ditë më parë, Ibrahimoviq njoftoi se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ka mbështetur pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Por sipas Mandiqit, koalicioni ka marrëveshje “për të punuar bashkë në realizimin e prioriteteve në politikën e jashtme – pranimin e Malit të Zi në BE” dhe “jo për përmbushjen e ambicieve të jashtme politike të shqiptarëve të Kosovës”.
Mandiq ka shtuar se për vendime të tilla duhet vendim brenda Qeverisë. Ai ka thënë se me këtë votim, kërcënohen raportet me Serbinë dhe rruga e Malit të Zi drejt BE-së. Sipas tij, Qeveria e Malit të Zi duhet të dalë qartë me qëndrim për votimin.
Qëndrimi i Mandiqit ka nxitur reagim të ish-ministrit të Jashtëm të Malit të Zi, Miodrag Vlahoviq. Ai ia ka kujtuar Mandiqit se Mali i Zi e njeh Kosovën si shtet dhe shtetet kanë raporte diplomatike në nivel ambasadorësh.
“Kosova është shtet mik. Votimi për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës është vendimi më i duhur – më logjik, më normal dhe më fitimprurës – për atë shtet dhe për tërë rajonin”, ka thënë ai.
Vlahoviq ka thënë se është e pakuptimtë që politikanët e favorizuar nga Rusia dhe shërbëtorë të Serbisë “ta çojnë Malin e Zi drejt BE-së”. Ai ka thënë se Mandiq dhe politikanët e tillë kanë qëllim vetëm serbizimin e Malit të Zi dhe kthimin në botën serbo-ruse. /Koha