Gjykata Themelore në Prizren ua ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji dy të dyshuarve S.J., dhe D.B., për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve, apo materialëve plasëse”. Kurse, një të mituri i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Një 24-vjeçar mbeti i vrarë më 11 maj pasi dyshohet se qëlloi veten me armën që e bleu nga të dyshuarit.
Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se dy të dyshuarve të parë masa e paraburgimit iu caktua më 13 maj, kurse të miturit më 11 maj.
Sipas Gjykatës, ekziston baza për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, si dhe pasojat që ka shkaktuar.
“Të pandehurit dyshohet se kanë kryer vepër penale kundër sigurisë së përgjithshme, që paraqesin rrezik të madh për shoqërinë, në rastin konkret me sjelljen dhe veprimet e tyre të kundërligjshme, të pandehurit i shesin armë zjarri të viktimës A.T., i cili e merr armën për ta testuar se a është funksionale dhe si pasojë e shkrepjes së gabuar të armës, i njëjti ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Sipas Gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake, pas vlerësimit të kërkesës së Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, provave materiale, deklaratave të palëve (të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre), ka gjetur se kërkesa e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar.
Të dyshuarve që iu caktua paraburgimi, mund t’iu vlejë deri më 11 qershor,
“Me rastin e caktimi të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura është në fazën fillestare të hetimit, duhen të merren në pyetje të pandehurit, dëshmitarët dhe një (1) i mitur, me qëllim të zbardhjes së ngjarjes, dhe me lënien në liri ekziston rreziku i ndikimit në prova dhe deklarata të dëshmitarëve”, thuhet në përgjigjen e kësaj Gjykate.
Ndërsa, lidhur me caktimin e arrestit shtëpiak për të miturin, thuhet se nëse i njëjti e shkel këtë masë, do t’i bartë pasojat do t’i caktohet paraburgimi, dhe se në këtë fazë masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme. Kjo masë, të miturit mund t’i vlejë deri më 10 qershor.
“Gjyqtarja pas vlerësimit të shkresave të lëndës, provave materiale, deklaratave të palëve në procedurë, ka ardhur në përfundim se në rastin konkret masa e arrestit shtëpiak është masë oportune dhe më e arsyeshme duke marrë parasysh se edhe me këtë masë liria e qarkullimit të të miturit është e kufizuar dhe eventualisht nëse i njëjti e shkel të njëjtën masë, do ti bartë pasojat – do ti caktohet paraburgimi, andaj është vendim i Gjykatës se edhe masa e arrestit shtëpiak do të jetë e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së tij dhe mbarëvajtje së procedurës paraprake”, thuhet në përgjigje.
24-vjeçari mbeti i vdekur më 11 maj 2024 rreth orës rreth orës 18:20, ku sipas Policisë, dyshohet se viktima A.T. është vrarë me pistoletën që kishte për ta blerë nga personat e tretë dhe porsa e ka marrë armën ka shkrepur në drejtim të vetes së tij.