Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës lidhur me vrasjen e trefishtë në Gllogjan.
Burime të Gazetës Online Reporteri.net bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Halil Mehmetaj dhe dy djemtë e tij, Kreshnik edhe Malsor Mehmetaj, nga Gllogjani.
Motivet e kësaj vrasjeje dyshohet se është hakmarrje për vetëvrasjen e vajzës dhe motrës së tyre 20 vjeçare, Heroina Mehmetaj, e cila i dha fund jetës së saj vitin e kaluar.
Sipas familjes së vajzës së vetëvrarë arsyeja e kësaj vetëvrasje është shoferi i autobusit.
Pasi ajo i dha fund jetës, vëllai i saj, që sot u arrestua, Malsor Mehmetaj kishte bërë tatu emrin e motrës “Heroina”, shkruan Reporteri.net.
Malsori bashkë me vëllain Kreshnikun, e babain Halilin dyshohet se u hakmorrën ndaj shoferit të autobusit Gani Gjokaj, të cilin dyshohet se e vranë pasi e fajësonin për vetëvrasjen e vajzës, përkatwsisht motrës së tyre, Heroinës.
Se tre të dyshuar janë arrestuar e konfirmoi edhe Prokuroria e Pejës në një konferencë për media.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Pejës Agim Kurmehaj theksoi se të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Janë arrestuar tre persona të dyshuar për vrasjen e cila ka ndodhur para disa ditëve në fshatin Gllogjan…Prokuroria e çështjes ka caktuar vendimin 48 orë për ndalim”, tha Kurmehaj.
Kurmehaj theksoi se për shkak të ndjeshmërisë së çështjes nuk do të ketë informata të tjera.