Një person u arrestua dje në Mitrovicë të Veriut, në dyshimin se kishte kërcënuar me djegien e një lokali dhe kishte ngacmuar disa femra në rrugë.
Incidenti ka ndodhur në afërsi të sheshit “Car Lazar”, transmeton Gazeta Papirus.
Burime të IndeksOnline pohojnë se i dyshuari në fjalë është Zivojin Ivkoviq.
36-vjeçari u lokalizua dhe arrestua nga policia, disa metra larg vendit të ngjarjes.
“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një thikë, një shishe alkooli dhe dokumentet personale të tij…
“Gjithashtu, në bazë të deklarimeve të një dëshmitari, i dyshuari ka tentuar ta pengojë thirrjen e policisë. Po ashtu, nga dëshmitarët është raportuar se i njëjti kishte ngacmuar disa femra në rrugën “Çlirimi”, për çka i është shqiptuar një tiketë, në bazë të Ligjit për prishjen e rendit dhe qetësisë publike”, deklaroi policia.
Ivkoviq rezultoi të ishte nën ndikim të alkoolit. Ai u dërgua në mbajtje për 48 orë dhe me urdhër të prokurorit, rasti u iniciua si “Kanosje”.