Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, sot do të mbajë konferencë për media në Prishtinë.
Ajo është e para në dy vitet e fundit, të cilën kryegjyqtarja e Speciales e mban LIVE me gazetarë në Kosovë.
Megjithatë, sikur edhe herave të tjera, në konferencë nuk do të lejohen kamerat.
Specialja do ta transmetojë vetë konferencën.
Në të njëjtën kohë, ka thirrur konferencë për media edhe Organizata e Veteranëve të Luftës. Të njëjtit, disa herë, e kanë kundërshtuar vizitën e Trendafilovës.
“Vizita e paralajmëruar e Kryetares së Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale, znj. Ekaterina Trendafilova, në Kosovë është jo vetëm e papranueshme, por edhe një fyerje e rëndë ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e këtij vendi. E paralajmëruar të mbahet nën një perde të trashë të fshehtësisë, pa praninë e qytëtarëve dhe kamerave, kjo vizitë nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë apo transparencën,përkundrazi, është përpjekje për të ikur nga llogaridhënia dhe për të vazhduar një agjendë të njëanshme politike. Kjo qasje arrogante dhe fyese nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i padrejtësisë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë. E njëjta gjykatë që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen në Kosovë si “autoritet drejtësie”, por nuk ka guxim të përballet me opinionin publik. Kjo është hipokrizi e pastër!”, thuhet në komunikatë.
Ajo dje u takua me zyrtarët e ambasadës gjermane në Prishtinë, dhe mbetet të shihet se çfarë takime tjera do të ketë.
Për sigurinë e saj, po përkujdeset Policia e Kosovës.
“Me datën 12-14 maj 2025, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë kryetarja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, znj. Ekaterina Trendafilova. Me këtë rast, Policia e Kosovës, në bashkërendim me autoritetet kompetente ndërkombëtare, gjatë kësaj vizite, e cila realizohet në Republikën e Kosovës, do të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, thuhet në komunikatë.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve apo takimeve të personaliteteve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore, ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet më tutje.
Mbase për këtë vizitë Policia vlerësohet lart nga liderët e Speciales, por për diçka më shumë, po del se jo.
Prokuroria në parashtrimet e saj, ka kërkuar nga gjyqtarët të refuzojnë kërkesat për lirim me kusht dhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të mbeten në paraburgim.
Për aftësinë e Policisë së Kosovës dhe dyshimet e Prokurorisë së Hagës, një dokument me reagim të ashpër e ka dërguar mbrojtja e Kadri Veselit. Ekipi mbrojtës thekson se Policia e Kosovës është institucion i shtetit që e ka themeluar gjykatën, dhe ka aftësi për ta zbatuar secilën kërkesë nga gjyqtarët.
“Policia e Kosovës është e aftë të zbatojë çdo kusht të urdhëruar nga Paneli. Në fillim, Mbrojtja nënvizon se Policia e Kosovës është një organ i të njëjtit shtet, të cilit i përket kjo gjykatë, DHSK-ja. Profesionalizmi i tyre konfirmohet nga Komisioni Evropian. Ajo kërkohet drejtpërdrejt, sipas Nenit 53 të Ligjit, që të “zbatojë pa vonesë të panevojshme çdo kërkesë për ndihmë ose një urdhër ose vendim të lëshuar nga Dhomat e Specializuara”.Ligji për Policinë kërkon më tej në mënyrë të qartë që Policia e Kosovës të ekzekutojë çdo urdhër të ligjshëm gjyqësor. Natyrisht, kjo përfshin çdo urdhër nga Paneli Gjykues për të parandaluar pengimin e drejtësisë gjatë lirimit të përkohshëm. Çdo pyetje në lidhje me gatishmërinë ose aftësinë e Policisë së Kosovës për të zbatuar kushtet duhet të merret në konsideratë duke pasur parasysh këtë kuadër të qartë ligjor. Ata janë në dispozicion të Gjykatës për të siguruar që urdhrat e saj të zbatohen në mënyrë efektive, duke përfshirë edhe mohimin e çdo rreziku që mund të thuhet se lind në lidhje me çdo çështje të supozuar të mbrojtjes së dëshmitarëve. Do të ishte gabim të refuzohej lirimi i përkohshëm në bazë të ndonjë mangësie të dukshme në operacionet e Policisë së Kosovës”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes së Kadri Veselit të cilën e ka siguruar Nacionale.