Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është ftuar për vizitë shtetërore nga presidentja e Zvicrës më 21 dhe 22 maj, transmeton Gazeta Papirus.
“Me ftesë të Këshillit Federal të Zvicrës, të udhëhequr nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Karin Keller-Sutter, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, janë ftuar për vizitë shtetërore në Konfederatën Helvetike më 21-22 maj, duke shënuar kësisoj vizitën e parë shtetërore të një kreu të shtetit të Kosovës në Zvicër. Vizitat shtetërore janë niveli më i lartë i vizitave, pra nivel më i lartë se vizitat zyrtare, dhe ndodhin shumë rrallë, prandaj edhe kjo shënon një moment historik në relacionet Kosovë-Zvicër.”
Osmani do të pritet me nderime të larta shtetërore nga presidentja zvicerane.
“Presidentja Osmani do të pritet me ceremoni shtetërore dhe nderime të larta ushtarake nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Karin Keller-Sutter, në sheshin qendror Bundesplatz në Bern, më 21 maj në prezencë edhe të qytetarëve të shumtë.”
Zyra e presidencës ka bërë të ditura detaje të agjendës. Osmani do të mbajë fjalim në parlamentin e Zvicrës e bashkë me homologen e saj atje do të mbajnë konferencë për media.
“Në kuadër të agjendës zyrtare, Presidentja Osmani do të mbajë takime me Presidenten e Zvicrës dhe Këshillin Federal, si dhe do të mbajë fjalim në Parlamentin e Zvicrës. Poashtu, të dyja presidentet do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.”
Për Osmanin, presidentja Keller Sutter do të organizojë edhe banket shtetëror.
“Për nder të Presidentes Osmani dhe delegacionit nga Kosova, Presidentja Keller-Sutter do të organizojë banket shtetëror, duke nderuar kësisoj miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin në mes dy shteteve.”
ZPRK ka njoftuar për agjendën e Osmanit në ditën e dytë të vizitës.
“Në ditën e dytë të vizitës, Presidentja Osmani dhe Presidentja Keller-Sutter do ta vizitojnë një ndërmarrje prodhuese në pjesën lindore të Zvicrës, si dhe një qendër të Universiteti Saint Gallen, e cila është e përkushtuar për zhvillimin e kulturës së të nxënit dhe të mësimdhënies, fusha me rëndësi të veçantë për të ardhmen e të rinjve në Kosovë dhe Zvicër.”
Osmani do të takohet me mërgatën shqiptare në Gjenevë.
“Në Gjenevë, ndërkaq, Presidentja Osmani do ta ketë një takim me mërgatën shqiptare, e cila jeton dhe vepron në Zvicër.”
“Vizita shtetërore e Presidentes Osmani jo vetëm që ka karakter historik, por edhe simbolik, pasi thekson marrëdhëniet e ngushta, të qëndrueshme dhe shumëdimensionale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Ato janë marrëdhënie të ndërtuara mbi historinë e përbashkët, vlerat demokratike dhe një bashkëpunim të ngushtë shtetëror. Bashkatdhetarët tanë që jetojnë e kontribuojnë në Zvicër, janë bërë një urë e fuqishme lidhëse ndërmjet dy popujve dhe dy shteteve. Zvicra ishte një nga vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë ka qenë ndër mbështetëset më të mëdha të proceseve demokratike, shtetndërtuese dhe zhvillimore të vendit tonë.”