Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu ka vizituar sot Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, për të parë nga afër punimet para finalizimit të projektit të zgjatjes së pistës.
Në njoftimin e Ministrisë theksohet se ministri Aliu zhvilloi një vizitë tek pista e Aeroportit për të parë nga afër të gjitha punimet e kryera deri tani dhe diskutuan në hollësi për finalizimin e projektit të zgjatjes së pistës, nga 2500 metra në 3050 metra, e po ashtu edhe për instalimin e paisjeve të rëndësishme përcjellëse në ngritjen e kapaciteteve teknike për ofrimin e shërbimeve ajrore, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Me finalizimin e projektit të zgjatjes së pistës, sistemi instrumental i aterimit avancohet nga kategoria 2 në 3B, e që është një avancim jashtëzakonisht cilësor, që e bën Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës më konkurrent në rajon. Po ashtu, pajisjet, të cilat do të funksionalizohen me këtë projekt e që kanë të bëjnë me navigimin, e me meteorologjinë do të luajnë rol shumë të rëndësishëm për aterimin në kushte të vështira atmosferike dhe me këtë rast do të eliminohet shkaktari kryesor i anulimit të fluturimeve dhe rënies së numrit të udhëtarëve që e shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Kostot më të ulta për kompanitë ajrore përfundimisht barten tek udhëtarët përmes biletave më të lira. Udhëtari mund të ketë mundësi më të mëdha për destinacione plotësuese që mund të hapen nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës si rezultat i kostove më të ulta të krijuara përmes këtij projekti”, thuhet në njoftim.
Në këtë vizitë të pranishëm ishin inxhinieri i ndërtimit nga pala mbikëqyrëse për projektin e zgjatjes së pistës, Peter Bonello, bashkë me drejtorin e operimeve të Aeroportit Gokmen Aritay.
Ministri Aliu ka falënderuar Bonellon dhe Aritay për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm, dhe shprehu bindjen se kjo frymë e koordinimit dhe bashkëpunimit do të vazhdojë edhe më tej.