Tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, Kosova ndodhet ende pa institucione të reja funksionale, duke u përballur me një krizë që shkon përtej teknikaliteteve politike.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate në Gjakovë, Fazli Hoxha, e ka cilësuar këtë situatë si një krizë të thellë të përfaqësimit demokratik.
Në një reagim publik, Hoxha theksoi se mungesa e veprimit institucional në përputhje me vullnetin qytetar përbën një boshatisje të demokracisë nga përmbajtja e saj reale. “Nëse politika mbetet peng i kalkulimeve të ngushta dhe interesave partiake, atëherë humbet thelbi moral i përfaqësimit,” deklaroi ai.
Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme nuk duhet parë si një dështim, por si një mundësi për të rikthyer balancën dhe për të korrigjuar drejtimin politik.
“Zgjedhjet e parakohshme nuk janë dështim i sistemit, por mundësi për të korrigjuar devijimin dhe për të rivendosur ekuilibrin. Vetëm qytetari, tashmë më i vetëdijshëm për rolet dhe përgjegjësitë, mund ta thyejë spiralen e bllokadës” – shkroi tutje Hoxha.
Në këtë frymë, ai bëri thirrje për reflektim dhe veprim të përgjegjshëm nga të gjitha partitë.