Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot komandant Ekrem Rexhën – Drini, një prej emrave më emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe të gjithë dëshmorët dhe martirët e rënë më 8 maj.
“Ekrem Rexha – Drini, ishte ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili me aftësitë e tij si udhëheqës dhe vizionar, la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të lavdishme. I afërt dhe i respektuar nga të gjithë, humbja e tij ishte një goditje e madhe për vendin dhe një dhimbje e thellë për familjen dhe bashkëluftëtarët,” shkruan Haradinaj në një postim në Facebook.
Ai përkujtoi gjithashtu sakrificën e banorëve të fshatrave Kashicë, Staradran dhe Terstenik, të cilët më 8 maj të vitit 1999, u bënë gurthemel i shtetit që e gëzojmë sot.
Në përvjetorin e kësaj date, Haradinaj përkujtoi edhe Betejën e Llapushnikut, të zhvilluar më 8, 9 dhe 10 maj të vitit 1998, një ndër betejat që ndryshoi rrjedhën e luftës çlirimtare duke i ndërprerë armikut një ndër arteriet kryesore të furnizimit.
“Me përulje e respekt kujtojmë dhe nderojmë 47 Dëshmorë dhe 54 Martirë që ranë në altarin e lirisë së Kosovës. Njëkohësisht, në ditën e tyre kujtojmë dëshmorët dhe martirët e fshatit Lëbushë,” u shpreh Haradinaj.
“Gjaku i tyre u bë themel i lirisë sonë, dhe kujtimi për ta do të mbetet i gjallë brez pas brezi. Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të Kosovës!”, përfundoi Haradinaj./GAZETA PAPIRUS/