Një 29-vjeçar nga Kosova është dënuar me tre vjet burg dhe pesë vjet dëbim nga Zvicra, pas një incidenti të dhunshëm që ndodhi gjatë karnavaleve në qytetin Wil të Kantonit St. Gallen.
Sipas mediave zvicerane, i riu ishte përfshirë në një përleshje në një tendë festash në qytetin e vjetër të Wilit në vitin 2022. Më pas, gjatë rrugës për në shtëpi, ai kishte goditur disa herë me grusht në kokë një burrë, duke i shkaktuar atij frakturë të rëndë në fytyrë.
Gjykata e Qarkut në Wil e kishte dënuar atë me tre vjet burg dhe tetë vjet dëbim nga vendi. Por, pas ankesës së të akuzuarit, Gjykata Kantonale e St. Gallenit e uli afatin e dëbimit në pesë vjet, duke lënë në fuqi dënimin me burg dhe shpalljen fajtor.
Në vendimin e saj, gjykata i dha viktimës një dëmshpërblim prej 3,000 frangash zvicerane, ndërsa çështja e kërkesës civile do të shqyrtohet më vonë.
Përveç kësaj, shpenzimet e hetimit dhe procedurave gjyqësore, të cilat duhet t’i mbulojë i akuzuari, arrijnë në rreth 60,000 franga zvicerane, një shumë që ai duhet ta paguajë kur të ketë mundësi financiare.
I riu kishte lindur dhe ishte rritur në Zvicër. Në gjykatë, ai kishte kërkuar që të mos dëbohej nga vendi, duke thënë se nuk sheh asnjë perspektivë për jetën apo karrierën e tij në Kosovë, ku nuk ka lidhje familjare, ndërkohë që e gjithë familja dhe e dashura jetojnë në Zvicër/GAZETA PAPIRUS/