Një person i cili ishte në kërkim ndërkombëtar është arrestuar sonte nga Njësia FAST e Policisë së Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës.
“Sonte ne orët e pasdites, në Prishtinë, Njësia FAST, me mbështetjen e Njësisë Rajonale për Reagim të Shpejtë (NJRSH) – Prishtinë, ka realizuar me sukses një aksion policor, duke arrestuar një person në kërkim ndërkombëtar.”, thuhet në njoftim.
Sipas këtij njoftimi, operacioni është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, dhe personi i arrestuar është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme ligjore.
Po ashtu është thënë se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër krimit dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të sjellë para drejtësisë individët që kërkohen për vepra të ndryshme penale.