Derisa Republika e Kosovës nuk posedon kodin e saj shtetëror të internetit (CCTLD), shumica e operatorëve mobilë në vend dhe ata të internetit po i përdorin IP adresat nga Serbia. Këto shërbime me IP adresa nga Serbia po cilësohen si shumë të dëmshme për shtetin e Kosovës dhe bizneset e sektorit të mediave.
Kosova, gati 14 vjet shtet, dhe Telekomi i Kosovës është ende duke i përdorur IP adresat e Serbisë, për çka mbeten të shqetësuar drejtues të Odës së Afarizmit të Kosovës dhe deputetë nga opozita, të cilët me urgjencë kërkojnë nga Qeveria të zgjidhet kjo çështje.
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi thotë se nga këto IP adresa të Serbisë të cilat përdoren nga Telekomi i Kosovës dhe kompani të tjera po dëmtohen bizneset e sektorit të mediave, dhe siç thekson ai, po kërcënohet sovraniteti i Republikës së Kosovës.
“Ky shqetësim ka ardhur nga biznesi, sektori i mediave, të cilat janë ankuar, sepse me përdorimin e IP adresave të Serbisë, reklamat që dalin në portale dhe në ueb faqe dalin sipas gjuhës nga vijnë IP-at. Nga IP-të e Serbisë gjuha nuk del në gjuhën shqipe, por në gjuhën serbe. Kjo pastaj po i dëmton bizneset, por edhe vendin, sepse po na identifikon me një shtet tjetër që realisht po e dëmton edhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, thekson Krasniqi.
Kryetari i Bordit të Autoriteti Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Nazim Rahimi, ka thënë për KosovaPress se përderisa Kosova nuk administron me domenin e saj shtetëror dhe nuk është pjesë e “RIPE NCC”, nuk mund të administrojë me IP-të adresa.
Rahimi ka thënë se Telekomi përdorë IP adresat nga Shqipëria dhe kështu ai ka mohuar që operatorët e internetit në vend përdorin adresat e Serbisë, përveç atij serb Mts Doo që operon në veri të Kosovës.
“Këto IP adresa janë të ndara nga ‘RIPE NCC’ për operatorët tonë në Kosovë që si lokacion gjeografik e kanë Republikën e Shqipërisë. Këtu përfundon. Cilët operatorë i përdorin këto IP adresa? Operatorët e mëdhenj siç është Telekomi i Kosovës, IPKO, Kujtesa, Art Motion e të tjera. Kurse, Mts Doo është operatori i vetëm që përdorë IP adresa me lokacion gjeografik Republika e Serbisë. Këto i kemi dhënë edhe në sqarime në shkresat që i kemi dërguar për njoftim kryeministrit edhe Odës së Afarizmit. Kur do të ketë Kosova kodin për lokacioni gjeografik? Përderisa nuk administron Kosova me domenin e saj shtetëror dhe nuk jemi pjesë të ‘RIPE NCC’ nuk mund të administrojmë me IP adresa. Deri atëherë ne duhet të presim”, thotë Rahimi.
Derisa kreu i OAK-ut, Krasniqi duke dëshmuar me demonstrim për gjuhën serbe të shfaqjes së përmbajtjeve promocionale në agjenci, gazeta online dhe portale, ka thënë se deklaratat e drejtuesve të ARKEP-it janë të manipuluara dhe të pavërteta.
Madje, Krasniqi ka thënë se vetë Telekomi i Kosovës në vazhdimësi përdorë IP adresat e Serbisë, dhe jo të Shqipërisë.
“Se a është e vërtet a po jo, këtë mund ta vërteton çdo qytetarë në qoftë se hynë në portale dhe i sheh reklamat në gjuhën serbe, të cilat veprojnë sipas IP-ve. Deklaratat e ARKEP-it se nuk përdoren IP adresat e Serbisë nuk qëndrojnë. Tash edhe mund ta demonstrojmë këtë problematikë edhe në praktikë, sepse kemi të bëjmë me një të pavërtetë nga ana e ARKEP-it, po ashtu edhe një manipulim nga ana e shumicës së provajderëve me IP adresa. Kështu shkelësi kryesor ose përdoruesi më i madh i madh i IP-ve të Serbisë fatkeqësisht është Telekomi i Kosovës. Sepse çdo herë kur hyn përmes internetit të Vala-s, lajmërohen reklamat në gjuhën serbe. Ndërsa, tek operatorët tjerë ndodhë që kohë pas kohe të përdorin edhe IP të Shqipërisë, edhe IP të Serbisë. Por, ajo që në vazhdimësi nuk do të duhej të ndodhte asnjëherë, po ndodhë me Telekomin e Kosovës, e cila në vazhdimësi vazhdon t’i përdor IP të Serbisë”, thotë Krasniqi.
Për këtë çështje, Fadil Lepaja, ushtrues detyre i drejtorit për Relacione me Publikun në Telekomin e Kosovës thotë shkurt për KosovaPress se Telekomi nuk ka në shfrytëzim IP adresa nga Shqipëria por ato, sipas tij, janë të alokuara nga “RIPE NCC”.
Të pyetur zyrtarët e Telekomit se a i përdorin IP adresa nga Serbia, një gjë të tillë nuk e kanë mohuar. Ndaj, e njëjta përgjigje lë për të kuptuar se kompania në fjalë shfrytëzon IP adresa nga Serbia.
“Telekomi nuk ka në shfrytëzim IP adresa nga Shqipëria, por ato i ka të alokuara nga ‘RIPE’. Telekomi i Kosovës i përdor IP adresat të cilat i ka marrë nga ‘RIPE’. IP adresat nuk alokohen për shtete, por alokohen për ISP-të të cilat bëjnë kërkesë për alokim të IP-ve. Alokimi i IP adresave nuk varet nga kodi shtetëror. Pagesa e Telekomit për ‘RIPE’ në vitin 2021 është 939,05€”, përgjigjet me shkrim Lepaja.
Deputeti nga AAK, që është edhe anëtar i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Pal Lekaj duke kërkuar me urgjencë adresimin e IP-ve, ka thënë për KosovaPress se përdorimi i tyre nga Serbia rrezikon sigurinë dhe privatësinë e qytetarëve në Kosovë.
“Sa i përket Kodit të internetit dhe çështjeve të tjera që janë me rëndësi dhe jetike për qytetarët, por edhe që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve të Kosovës, fatkeqësisht deri më sot nuk kemi parë ndonjë përpjekje. Mendoj se këtu humbjen e kanë qytetarët e Kosovës, edhe në siguri, por edhe sa i përket asaj që quhet komunikimi elektronik. Këtë e themi, sepse derisa nuk kemi kod të shtetit, atëherë dihet edhe siguria apo privatësia e kësaj çështje. […] *fund* Kjo është e padrejtë, prandaj qeveria duhet urgjentisht të veprojë”, theksoi ai.
Kryetari i ARKEP-it, Nazim Rahimi ka pranuar se mosmenaxhimi i IP-ve nga Kosova, ka ndikime financiare dhe ekonomike.
“Absolutisht, jomenaxhimi nga Kosova, e cila nuk menaxhon këto IP adresa sigurisht që ka impakt të tjera ndoshta ekonomikë që unë për momentin nuk mund të jap në mënyrë më konkrete. Sigurisht ka ndonjë impakt edhe te bizneset, por nuk mendoj që janë pasojat ekonomike aq të mëdha”, thotë ai.
Oda e Afarizmit të Kosovës ka realizuar takime me drejtues të ARKEP-it dhe ka dërguar edhe shkresa për mes së cilave dëshmohet se që operatorët vendorë, janë duke i përdorë IP adresat nga shteti serb.
Oda e Afarizmit i ka dërguar shkrese edhe kryeministrit Kurti, e ka takuar edhe ministren e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, por deri më tani nuk ka veprime konkrete dhe dëmi shtetëror dhe ekonomik po vazhdon.